Pas gjyqtarit Edmond Islamaj, ka kaluar me sukses Vettingun edhe prokurori Dritan Prençi, i cili është një prej prokurorëve që po heton dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Prokurori në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë është konfirmuar sot në detyrë nga KPK, pasi rezulton me një pasuri modeste.
Dy ditë më parë, Dritan Prençi doli para trupës së KPK të përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Pamela Qirko, Suela Zhegu, ku dha llogari për pasurinë dhe pastërtinë e figurës. Nga hetimi i KPK, rezultoi se prokurori ka pasuri të ligjshme dhe nuk ka kryer deklarim të rremë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit tha se prokurori Prençi ka një apartament banimi 74 m2 në Kashar, të marrë me kredi, si dhe një makinë ‘Golf’ të blerë vetëm 50 mijë lekë. Kjo ka bërë që prokurori Dritan Prençi të vijojë detyrën.
Përveç dosjes ‘Tahiri’, Prençi është prokuror dhe në dosjen e vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi. Ai është emëruar prokuror te Krimet e Rënda në kohën e Adriatik Llallës dhe është kandidat për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.