Prokurori Arben Dollapaj ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës në Shqipëri. Ai do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit më 3 gusht, si pjesë e listës prioritare për shkak të funksionit si prokuror i Apelit në Shkodër dhe kandidimit të tij për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Hetimi administrativ për prokurorin Dollapaj është kryer nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj dhe me anëtarë Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici. Arben Dollapaj e ka filluar karrierën në vitin 1993. Në vitin 2003, ai ka qenë prokuror në Durrës, ndërsa në vitet 2004-2008 ka shërbyer si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Tiranë.
Në vitet 2008-2016, Dollapaj ka shërbyer në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka mbajtur funksionet e drejtorit të Inspektimit dhe Burimeve Njerëzore si dhe drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore dhe Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Në vitin 2016, Dollapaj u transferua në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës pas një përplasjeje publike me ish-kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla. Ai e cilësoi këtë vendim si “hakmarrje” dhe ngriti padi në Gjykatën Administrative të Apelit duke kërkuar shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës dhe të vendimit të Prokurorit të Përgjithshëm si dhe rikthimin e tij në vendin e mëparshëm të punës në Prokurorinë e Përgjithshme.
Paralelisht me detyrën si prokuror, Arben Dollapaj ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Prokurorisë si dhe ekspert trajnues në Shkollën e Magjistraturës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.