SPAK ka paraqitur formularin për sekuestrimin e kryer nga operacioni ‘Forca e ligjit’ për Altin dhe Leonard Hajrin në kushtet e emergjencës duke e dorëzuar atë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të Organizuar, për t’i ‘vulosur’ sekuestron e tyre. Kërkesa është dërguar të premten nga SPAK, ndërsa kjo është kërkesa e tretë që mbërrin në Gjykatën e Posaçme.

Pas automjetit të Lulzim Berishës dhe pronave të Doçëve në Shkodër, SPAK kërkon sekuestron e kompleksin ‘Golden’ në pronësi të familjes Hajri. Gazetari Arsen Rusta raporton se pjesë e sekuestrove pritet të jetë edhe një pronë tjetër e zbuluar nga hetimet e SPAK, por ende nuk bëhet e ditur nëse ka qenë e padeklaruar apo e fshehur nga Hajrat tek persona të tjerë.

Sekuestrot e pasurisë ndaj Altin Hajrit dhe Leonard Hajrit, të njohur për publikun si pjesë e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, u bënë në kushtet e emergjencës me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ishin të parat që përfunduan në ‘rrjetën’ e OFL.

Lista e pronave që do t’i nënshtrohet sekuestros me urdhër nga Gjykata e Posaçme janë 3 objekte në emër të Altin Hajrit dhe një objekt në emër të vëllait të tij Leonard Hajrit, konkretisht:

1-Kompleksi ‘Golden Resort’, me adresë Xhafzotaj, Durrës, në pronësi të Altin Hajrit
2-Karburanti ‘ALT-OIL 2018’ me adresë Xhafzotaj, Durrës, në pronësi të Altin Hajrit
3-Vilë dykatëshe e cila ndodhet në fshatin Pezë, Shijak, Durrës, në pronësi të Altin Hajrit
4-Një vilë 4-katëshe në fshatin Pezë, Shijak, Durrës, në pronësi të , Leonard Hajrit.

Këto prona janë dërguar tashmë në Gjykatë nga SPAK ku pritet sekuestrimi i tyre. Me aktin normativ anti KÇK të miratuar nga qeveria, pronat e sekuestruara mund të përdoren nga shteti edhe pa u vendosur sekuestrimin e tyre më urdhër të gjykatës. Familja Hajri mund të përdor pa të drejtë tjetërsimi vetëm vilat ku banon pjesa tjetër e familjes që nuk janë ndaluar për rrëmbimin, vrasjen e më pas zhdukjen e trupit të Jan Prengës.

Gjykata e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit ka hedhur shortin për të caktuar trupat gjykuese të cilat duke nisur nga java e ardhshme do të shqyrtojnë kërkesat për vlerësim apo jo të ligjshëm të sekuestrove.

Kompleksi ‘Golden’ në Shijak u kthye ne skenën e krimit për Jan Prengën, i cili u rrëmbye më 17 janar 2020. Policia me anë të pamjeve filmike provoi praninë e trupit të tij dhe vendosi pas hekurave Leonard Hajri, Bajram Hajri, Elton Hajri, Festim Bexhdili, Olsi Turja si dhe Ardian Docaj nga Shkodra i cili u vetëdorëzua pasi iu sekuestrua pasuria në Shkodër, ndërsa Altin Hajri është ende në kërkim nga autoritetet.

Artikulli paraprakAKSIDENTI I RËNDË ME DY TË VDEKUR, ARRESTOHET SHOFERI SHQIPTAR
Artikulli tjetërNË PRONËSI NJË NGA 5 AGJENCITË MË TË FUQISHME NË BOTË, MENAXHERI SHQIPTAR I FUTBOLLIT NËN HETIM.