Pasuria e pajustifikuar e Mark Frrokut, gjykata rrëzon kërkesën e ish-deputetit
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Mark Frrokut për riekspertim të pasurisë së tij. Ish-deputeti Frroku pretendonte se ekspertja kontabël nuk kishte liçencë. Prokuroria e Përgjithshme vërtetoi se ai ka një pasuri të pajustifikuar prej 2 milionë dollarësh. Për këtë detyrë u caktua ekspertja Greta Danku, e cila nga ana e saj hartoi raportin e kërkuar. Por në seancën e disa ditëve më parë në gjykatën e Tiranës, ekspertja deklaroi se nuk zotëronte licence për ushtrimin e profesionit, çka shkaktoi debat të fortë mes palëve. Danku i tha gjykatës se zotëron një diplomë në Financë Kontabilitet dhe se veprimtarinë e saj e ka të bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, pasi në kohën që u punësua në Prokurorinë e Përgjithshme, pajisja me licencën e Ekspertit Kontabël nuk ishte kriter. Më tej, shtoi se përllogaritjet e saj janë bazuar në dokumentet që asaj i janë vënë në dispozicionin nga prokuroria dhe mbi bazën e tyre ka dalë në konkluzionin se Frroku zotëron një pasuri prej 2 milionë dollarësh, të cilët se justifikon dot me të ardhura dhe burime të ligjshme. Por avokatët thanë se ekspertiza është e njëanshme dhe e paplotë, dhe kërkuan njëherazi caktimin e një eksperti të pavarur për të vlerësuar pasurinë e ish-kristiandemokratit Frroku. I pandehuri këmbënguli që raporti i Dankut të mos merrej si bazë dhe si provë në proces, pasi ajo ka vepruar pa patur tagër ligjor, për shkak se nuk zotëron licencën e ekspertes kontabël. Mark Frroku po gjykohet për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë, pas konflikteve të grupeve kriminale në fushën e shfrytëzimit të femrave për prostitucion. Prokuroria gjithashtu e akuzon për fshehje të pasurisë, pastrim parash e ndërtim të paligjshëm