Partia ‘Bindja Demokratike’ ka reaguar pas kërkesës në KQZ të Partisë Bashkimi Demokrat Shqiptar për ta çregjistruar nga zgjedhjet.
Astrit Patozi shprehet se kjo është një luftë që po bën Lulzim Basha kundër partisë më të re opozitare.
Ai thotë se për të gjithë demokratët shqiptarë kundërshtar mbetet Edi Rama dhe qeveria e tij, ndërsa për Lulzim Bashën kundërshtar është ‘Bindja Demokratike’.
“Lulëzim Basha është angazhuar seriozisht në betejën kundër BINDJES DEMOKRATIKE, tanimë duke u përpjekur ta pengojë atë që të marrë pjesë në zgjedhje.
Ndërkohë që për të gjithë demokratët shqiptarë kundërshtar mbetet Edi Rama dhe qeveria e tij, për Lulzim Bashën kundërshtar është BINDJA DEMOKRATIKE, pasi, me sa duket, atë e shikon si rrezik për karriken e tij.
Përdorimi i disa klubeve me maska për të shantazhuar BINDJEN DEMOKRATIKE, që ajo të shmanget nga gara, do të dështojnë ashtu siç dështoi edhe fushata qesharake e gjetjes së nënshkrimeve të parregullta, të cilat u mblodhën në një kohë rekord.
BINDJA DEMOKRATIKE vazhdon t’i qëndrojë vendimit të saj për të garuar në çdo bashki të vendit, përveç atyre ku mund të rikandidojnë bashkiakë të djathtë në detyrë ose kandidatë të pavarur.
Ajo është në një aleancë të gjerë me demokratët shqiptarë në gjithë vendin, përveç Lulzim Bashës, i cili ndjehet më i kërcënuar nga BINDJA, se sa nga Edi Rama” thotë Patozi.
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar ankimoi vendimin e KQZ për regjistrimin në zgjedhje të Bindjes Demokratike, me argumentin se është shkelur ligji me urdhër politik.
Sipas tyre, KQZ ka marrë “urdhër politik”, prandaj e regjistruan partinë e drejtuar nga Astrit Patozi, në kundërshtim të hapur me ligjin .