Në një deklaratë për mediet nga selia e PD-së, kreu i grupit parlamentar Edi Paloka i ka kërkuar prokurorisë të hetojë e pandikuar nga presionet raportet e medieve më prestigjioze të botës

, të cilat flasin për një krim federal të kryer nga kryeministri Edi Rama, duke iu referuar fotos së tij me Presidentin Barack Obama në vitin 2012. Paloka është shprehur se Rama nuk mund ta kalojë këtë krim duke sulmuar opozitën, pasi këtë raportim e kanë bërë medie prestigjioze ndërkombëtare dhe në SHBA janë nisur hetimet nga Byroja Federale e Hetimit. “Kur skandalin e 80 mijë dollarëve për një foto me Obamën e pasqyroi “Reuters” dhe “Zëri i Amerikës”, Rama tha se janë media të paguara nga Partia Demokratike. Sot listës së medieve botërore të blera nga opozita, që shkruajnë për skandalin 80 mijë dollarësh të Ramës për një foto me Obamën, i janë shtuar dhe “Washington Post”, “Associated Press”, “Daily Mail” dhe ‘The Guardian’”, u shpreh Paloka. “Një njeri i korruptuar si Edi Rama, i cili bleu me 80 mijë dollarë një foto me Obamën, mendon se çdo gjë është në shitje e çdo gjë mund të blihet. Por krimi është shumë i rëndë, është krim federal, dhe është kryer në Amerikë, ku Edi Rama nuk i bën dot shantazhe kriminale drejtësisë. Ai ka zgjedhur të mos japë asnjë shpjegim, të heshtë dhe të reagojë me zyrën e propagandës, duke sulmuar mediet ndërkombëtare. Kjo është zgjedhja e një fajtori, e një njeriu të kapur në krim”, vijoi më tej Paloka. Sipas Palokës, përveç hetimit që po bën FBI-ja, është e qartë se Rama ka konsumuar 3 vepra penale edhe sipas ligjeve shqiptare, që janë “ndikimi i paligjshëm”, “mosdeklarimi i pasurisë” dhe “pastrimi i parave”, vepra për të cilët ai duhet të përgjigjet para drejtësisë shqiptare. “Kallëzimi penal është dorëzuar tashmë dhe ne i kërkojmë Prokurorisë të hetojë me seriozitet dhe e pandikuar nga sulmet e presionet e Edi Ramës”, përfundoi deklaratën e tij kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Artikulli paraprakBASHA MBLEDH ALEATËT, PROPOZIM I RI PËR REKOMANDIMIN 88 TË VENECIAS
Artikulli tjetërRAMA: INTEGRIMI ËSHTË NJË PROCES MODERNIZIMI I PAKTHYESHËM