Partia Demokratike e Berishës ka akuzuar qeverinë për asgjësimin e arsimit të lartë shtetëror. Në një deklaratë për mediat, Lili Sula, drejtuesja e departamentit të Arsimit në PD-në e Berishës, ka thënë se së vendimi i Këshillit të Ministrave tjetërsonte statusin e universiteteve publike, duke i kthyer ato në fondacione.
Sipas saj VKM 741 asgjëson shtyllat bazë mbi të cilat ngrihen universitetet publike.
“VKM 741 vë në praktikë kreun famëkeq 12 të Ligjit 80 për Arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, që është kundërshtuar nga ekspertë të huaj dhe vendas qysh me miratimin e tij më 2015. Ky vendim asgjëson përfundimisht themelet dhe shtyllat bazë mbi të cilat ngrihet e funksionon universiteti, asgjëson misionin e universitetit si e mirë publike – që përcaktohet në nenin 1 të Ligjit 80 – duke e parë universitetin si pronë private dhe vetëm si burim fitimprurës”- u shpreh Sula.
Sula tha se ky vendim i Këshillit të Ministrave për rithemelimin e universiteteve do të rivlerësonte pasuritë e paluajtshme si fondacione me vlerën e tregut,. Ajo shtoi se kontratat e punës 1 vjeçare për pedagogët do të thonin nxjerrje në ankand të institucioneve të arsimit të lartë.
“Përmes kësaj VKM universitetet do të rithemelohen, thënë ndryshe:
– pasuritë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme do të rivlerësohen si fondacione me vlerën e tregut;
– gjendja financiare dhe burimet financiare të universiteteve publike duhet të garantojnë zhvillimin e veprimtarisë së tyre për të paktën 3 vjet akademikë; e për më tepër
– do të lidhin kontrata një vjeçare pune për personelin akademik të punësuar.
Rithemelimi i universiteteve si fondacione, privatizimi i tyre dhe kontratat e punës 1- vjeçare për pedagogët do të thotë: nxjerrje në ankand të institucioneve të arsimit të lartë publik, të cilat, për shkak të shtrëngesës për mbijetesë do të detyrohen të rrisin taksat e studentëve. Pas goditjes së autonomisë së universiteteve dhe centralizimit të saj në plan financiar e administrativ dhe atë të lirive akademike”- u shpreh drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD-në e Berishës.