Kryetari i Partisë Demokratike në Shkodër Xhevdet Amuli siguron se procesi i zgjedhjeve më 29 korrik për kryetar të përgjithshëm të PD do të jetë i qetë pavarësisht tentativave për ta dështuar. Amuli hedh poshtë pretendimet se janë përjashtuar 50 mijë anëtar të PD duke thënë se thjeshtë nuk janë konfirmuar në lista dhe se mund të votojnë.
Amuli fton edhe anëtarët e “Bashkë Fitojmë” që të votojnë në garën për kryetar të PD ndërsa thotë se ata që nuk mund të lejohen të marrin pjesë në këtë proces janë anëtarët e Partisë së Lirisë të Ilir Metës.
Kreu i PD në Shkodër edhe pse është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD thotë se nuk ka marrë pjesë në mbledhjen online që pretendon sekretari i PD Gazment Bardhi i cili sipas Amulit po kërkon ta dështojë procesin duke i rënë ndesh statutit të PD.
Në garën për kryetarin e PD janë ish kreu i PD Lulzim Basha dhe kandidati tjetër Gjergj Hani. Amuli thotë se demokratët shkodran janë të lirë të votojnë sipas preferencës së tyre të pandikuar.
Edhe brenda PD ka një luftë politike mes sekretarit Gazment Bardhi dhe disa deputetëve si dhe pjesës tjetër të kësaj force politike. Në krye të PD pritet që të rikthehet Lulzim Basha i cili tashmë është i konfirmuar pavarësisht garës fiktive përballë Gjergji Hanit.