Shkodra ishte ndalesa e radhës ku të rinjtë e Departamentit ‘Brain Gain’ në Partinë Demokratike zgjodhën të prezantojnë “Librin e Punëve të Mira”. Nisma e tyre synon të ndërgjegjësojë opinionin publik, e veçanërisht të rinjtë që të njihen me realitetin e viteve të qeverisjes së demokratëve.
Në cilësinë e anëtarit të kryesisë së Partisë Demokratike, Bardh Spahia tha se propaganda e qeverisë është e qëllimshme për të denigruar punën e bërë gjatë qeverisjes së demokratëve. Sot ne jemi dëshmitar të një qeverie të zhytur në krim, korrupsion dhe skandale të njëpasnjëshme shtoi Spahia.
Dokumenti i prezantuar është përgatitur duke u mbështetur në një nga parimet themelore të Departamentit “Brain Gain” që është lidhja midis brezave. Anëtarët e tij, studentë ose ish studentë ekselentë shqiptarë nëpër botë, kanë bashkëpunuar ngushtë me personalitete që kanë ushtruar përgjegjësi të larta politike gjatë qeverisjeve të PD, për ta finalizuar “Librin e Punëve të Mira”.