Drejtoresha e komunikimit të fushatës së kandidatit të PD për bashkinë Tiranë, Mirela Karabina ka përcjellë një deklaratë për mediat në lidhje me përdorimin e logos së Partisë Demokratike nga ato që i kanë quajtur si subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë asnjë lidhje me këta të fundit. Letra e drejtuar KQZ-së, AMA-s dhe mediave në tërësi kërkon që këto institucione të marrin masa dhe të ndalojnë menjëherë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike nga subjektet e mësipërme. Sipas tyre PD përfaqësohet në garën për Bashkinë Tiranë me të vetmin kandidat, Roland Bejko, ndërsa shtojnë se do të marrin masa ligjore për të mbrojtur identitetin e partisë.

Deklarata e plotë:

Shtabi elektoral i kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë Tiranë, zotit Roland Bejko, i bënë thirrje institucioneve shqiptare, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, AMA-s dhe mediave, të marrin masa dhe të ndalojnë menjëherë përdorimin e emrit të Partisë Demokratike, logos dhe simboleve të saj nga subjekte zgjedhore të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Ne kërkojmë nga këto institucione, zbatimin e shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave të Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje çdo subjekti politik, të mos përdorin dhe keqpërdorin emrin e Partisë Demokratike, në media apo takime elektorale, nga njerëz dhe drejtues të formacioneve të ndryshme elektorale.

Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësohet në garën për Bashkinë Tiranë me të vetmin kandidat, zotin Roland Bejko, i njohur dhe i regjistruar në këto zgjedhje sipas të gjitha ligjeve në fuqi dhe në zbatim të kodit zgjedhor shqiptar. Ne do të marrim të gjitha masat ligjore për të mbrojtur identitetin e Partisë Demokratike, identitetin e të djathtës shqiptare që ajo përfaqëson. Partia Demokratike ka paraqitur sot “Ankesë në lidhje me keqinformimin e disa subjekteve mediatike” drejtuar:

Znj. Armela Krasniqi, Kryetare e Autoriteti te Mediave Audiovizive,

Znj. Desada Metaj, Zëvendëskryetare e Mediave Audiovizive,

Z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje mediave dhe institucioneve që monitorojnë ato, të zbatojnë parimin e hapësirave televizive sipas parimit “par condicion” për subjektin politik Partia Demokratike si partia më e madhe opozitare dhe të gjithë kandidatëve të saj për këshillat bashkiak dhe kryetar bashkie.

Artikulli paraprakKRYETARI BARDH SPAHIA SHTRON IFTAR PËR BANORËT E POSTRIBËS
Artikulli tjetërKANDIDATI I PS PËR BASHKINË SHKODËR BENET BECI VIZITË NË SHTËPINË E ZOTIT LEOPOLD SHKRELIT, PERSONAZHIT QË ÇON LULE TE BUSTI I NANË TEREZËS