Partia demokratike doli sot në një deklaratë për median për të denoncuar ata që i quan spastrime politike në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit.
Deputetja Albana Vokshi në deklaratën e saj për median paraditen e sotme tha se këto spastrime koordinohen nga Ilir Beqja “i mirënjohur si kampioni i korrupsionit në qeverinë Rama” Sipas PD-se vala e re e shkarkimeve në disa raste vjen për herë të dytë, siç po ndodh në spitalin e Fierit. “Spastrimet me motiv politik në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit koordinohen nga Ilir Beqaj, i mirënjohur si kampioni i korrupsionit në qeverinë Rama. Vala e re e shkarkimeve në disa raste vjen për herë të dytë, siç po ndodh në spitalin e Fierit. Ndërkohë që hidhen në rrugë nëna dhe kyefamiljare që mbajnë fëmijët me pagën e tyre, Beqaj mban militantet e punësuar rishtazi, pa arsim përkatës e pa eksperiencë, e që paguhen edhe me të ardhurat dytësore të spitaleve. Në Kukës, Beqa ka pushuar 32 zonja dhe ka punësuar rishtazi 20 militante. Urdhrat politike të pushimeve nga puna kanë prekur edhe personat në nevojë dhe atyre me aftësi te kufizuar, siç ishte rasti i infermieres së Spitalit të Fierit. Në Shkodër u hodhën në rrugë 89 sanitare dhe personeli mbështetës në spitale me status kritik social. Në listën e të pushuarave nga puna në spitalin e Shkodrës ka: kryefamiljare, gra me burrin të papunë, gra që vijnë nga familje në gjak. (tabela bashkangjitur) Ne Fier, Vala e dytë e shkarkimeve po prek 20 punonjës, në Kukës 32, në Tropojë 30, në Vlorë 20, e kështu, lista e pushimeve vazhdon e gjatë. Në Elbasan u pushuan 80 nga personeli mjekësor me 15 deri në 30 vite pune dhe një pjesë e madhe e tyre u zëvendësuan me anëtare partie. Në Tropojë, punonjësja me 37 vite pune e me arsim përkatës, hiqet nga puna, dhe pagën e saj e merr një e njohur e Beqës që punon, jeton dhe qëndron në Tiranë. Sipas Vokshit, “në informacionin dërguar Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë e Çështjet Sociale, Beqaj mashtron që reforma spitalore bëhet për shkak të mosshfrytëzimit të shtretërve e që kjo nuk arrin shifrat e shfrytëzimit të shtretërve në Evrope.” Po si mundet të shfrytëzohen shtretërit maksimalisht në spitale që qëllimshëm janë katandisur e ngjajnë me spitalet në gjendje lufte? Si mund të shfrytëzohen spitalet në kohën që ka mungesë totale barnash, pajisjesh e mjetesh mjekësore, kur infrastruktura është e mjeruar dhe ka mungesa të theksuara në personel mjekësor të specializuar?? Partia Demokratike dënon këtë arbitraritet e armiqësi të qeverisë ndaj këtyre punonjësve dhe i bën thirrje KLSH, prokurorisë, Avokatit të Popullit, institucioneve ndërkombëtare të hetojnë largimet dhe punësimet e paligjshme në spitalet rajonale dhe ato bashkiake.