Partia Demokratike denoncoi sot kryebashkiakun e Tropojës, Rexh Byberi, nën hetim nga SPAK për akuzën ‘shpërdorim detyre’, se ka shkelur masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ të dhënë nga GJKKO dhe që është ende në fuqi. Pretendimi i PD u deklarua sot (10 Dhjetor), në një konferencë për shtyp nga zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli. Selia blu pretendon se i akuzuari për tre vepra penale, kryebashkiaku socialist Byberi, edhe pse prej muajit Shtator në arrest shtëpie për shpërdorim të 2,8 mln euro, “më 6 Dhjetor është paraqitur në zyrën e tij për të bërë takim me administratën e Bashkisë”.
PD thekson se shkuarja e Byberit në zyrë lidhej me faktin se më 6 Dhjetor bëheshin 3 muaj pa u paraqitur në zyrë dhe “sipas ligjit për qeverisjen vendore duhet të shkarkohej”.

Gjithashtu shkelje nga demokratët konsiderohet edhe caktimi i kryetares së komanduar Zyra Ismalaj, ‘nga vetë Byberi’, teksa kompetenca i njihet Këshillit Bashkiak në mungesë të tij, pasi ndodhet nën arrest. PD akuzon edhe kryeministrin Rama, që mban në detyrë një kryebashkiak të akuzuar nga SPAk dhe nën arrest shtëpiak.

Byberi u la në “arrest shtëpie nga GJKKO më 9 Shtator, me kërkesë të SPAK.

Deklarata e plotë e Genta Vengjelit nga PD:

“Që nga data 9 shtator 2024, Rexhë Byberi është në arrest shtëpie për tri akuza: “Shpërdorim detyre”, “Prerje të paligjshme të pyjeve” dhe “Shkatërrim të pronës”, duke shkaktuar një dëm financiar prej 2.8 milion euro.

Por, edhe pse ndodhet nën masën e arrestit, më 6 dhjetor 2024, Byberi është paraqitur në zyrën e tij për të bërë takim me administratën e bashkisë, një fakt që është konfirmuar nga disa media.

Kjo shkelje e vendimit të gjykatës ka ndodhur pasi më 6.12.2024 ishin mbushur plot 3 muaj që ai ishte nën arrest shtëpie dhe nuk ishte paraqitur në detyrë si kryetar i bashkisë, gjë që përbën arsye të shkarkimit sipas Ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 62, i cili thotë:

Shkarkimi i kryetarit të bashkisë

Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:

a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;

b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;

c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

Edhe pse ai ka shkelur rëndë ligjin (pikat a dhe b) dhe është i dënuar me një vendim gjykate, ai u mbrojt nga kryeministri Rama. Megjithatë, pasi kaloi afati i 3 muajve, ai e shpërfilli arrestin shtëpiak dhe iu paraqit në detyrë në shkelje të vendimit të gjykatës.

A mjafton kjo shkelje nga Rexh Byberi për të shkarkuar atë nga detyra, apo duhen edhe shkelje të tjera?

Rexh Byberi ka abuzuar në mënyrë të konsiderueshme me tenderët, për të cilët ka denoncime dhe kallëzime penale në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSh) dhe nga media. Po ju rendisim disa prej tyre:

Tenderi për pakot ushqimore – Një kallëzim penal i bërë në SPAK nga dega PD Tropojë në vitin 2020. Kallëzimi ka ardhur pas një investigimi nga Reporter.al.

Tenderi “Ndërtim e rikonstruksion urash në bashkinë Tropojë” – Kallëzim penal i bërë në shkurt të vitit 2024 për pagesa fiktive të kryera nga Rexh Byberi për kompaninë “Rroku Guest”. Ky është një rast në hetim, por nuk ka ende asnjë informacion nga SPAK. Investigimi i emisionit “Piranja” i Syri TV ka zbuluar se zv/kryetarja e bashkisë, nga 9 shtatori 2024 kryetare e detyrës, ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj kompanisë fituese “Rroku Guest”, për të përfituar një urë për motrën e saj, një shkelje e hapur e detyrës.

Abuzimi me tenderët dhe konflikt interesi – Rexh Byberi ka favorizuar familjarët e tij në tendera. Kompanitë e lidhura me kryetarin kanë përfituar fonde të shumta nga Bashkia e Tropojës. (Investigim nga inamedia.al)

Konflikt interesi në tenderin për rikonstruksionin e thertores Shudenicë dhe ndërtimin e tregut të bagëtive – Tenderi me vlerë 12,678,100 lekë u fitua nga kompania “Trajler shpk”, e drejtuar nga Anila Byberi, bashkëshortja e kushëririt të parë të Rexh Byberit. KLSH ka konstatuar se ka pasur presion ndaj anëtarëve të komisionit të vlerësimit dhe parregullsi të mëdha. Megjithëse u investuan 120 milion lekë, thertorja dhe tregu i bagëtive në Tropojë nuk u bënë funksionale asnjëherë.

Tenderi për rikonstruksionin e rrugës ‘Bylbyl Breçani’, fshati Markaj – Ky tender, me një vlerë 54,502,005 lekë, u lidh me vlerën 50,910,205 lekë. Pjesëmarrës në procedurë ishin 6 operatorë ekonomikë, nga të cilët 5 u skualifikuan me arsye krejtësisht të paligjshme, vetëm për të favorizuar kompaninë “Vllaznimi sh.p.k”, që drejtohet nga djali i xhaxhait të Rexh Byberit. Kjo kompani ka përfituar tenderë në Bashkinë e Tropojës për një vlerë prej 4.7 milionë euro.

Tenderi për rikonstruksionin e rrugës Blini i Grisë-Lekurtaj – Në mars 2022, “Vllaznimi” fitoi një tender për rikonstruksionin e rrugës, duke shkelur ligjin në të paktën 5 raste, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit.

ILDKPKI ka nisur hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të Rexh Byberit. Hetimi përfshin pasuritë e tij dhe dyshimet për konflikt interesi.

Shkelje e mëtejshme e masës së arrestit shtëpiak – Më 9 shtator 2024, kur iu komunikua masa e arrestit shtëpiak, Rexh Byberi bëri shkeljen e radhës duke komanduar zv/kryetaren e bashkisë, znj. Zyra Islamaj, një veprim që është i paligjshëm, pasi vetëm Këshilli Bashkiak mund të bëjë komandimin e detyrës.

Edi Rama e mban ende në detyrë një kryebashkiak që është nën arrest shtëpiak, ka thyer arrestin shtëpiak, është nën hetim për procedura tenderimi dhe konflikt interesi, duke mbrojtur në shkelje të ligjit një shkelës të ligjit”.

Artikulli paraprakRAMA: SHQIPJA NUK ËSHTË ÇËSHTJE E LIGJEVE NË MAQEDONINË E VERIUT
Artikulli tjetërMANDATI I XHAÇKËS, VENECIA: VENDIMET E KUSHTETUESES TË DETYRUESHME PËR ZBATIM