Partia Demokratike përmes deputetit të PD për qarkun Shkodër Bardh Spahia ka publikuar një shkresë të dalë nga spitali rajonal i Shkodrës lidhur me anullimin e operacioneve të planifikuara në ditët e festave nga 30 dhjetori 2019 deri më 6 janar 2020. Deputeti Spahia i cili ka arritur që ta sigurojë këtë shkresë nga brenda spitalit rajonal të Shkodrës ka
reaguar në rrjetin social facebook duke thënë se shëndeti është me racion si tollonat e kohës së diktaturës, duke ironizuar kështu anullimin e operacioneve që sipas deputetit të Shkodrës nuk ndodh për herë të parë dhe se një gjë e tillë sipas tij nuk duhet të kishte ndodhur. Ja se çfarë shkruan deputeti Spahia në reagimin e tij në facebook për këtë shkresë që disponon dhe që e ka publikuar menjëherë:
“Pezullohen sërish ndërhyrjet kirurgjikale. Në zbatim të udhëzimeve nga ministria, vijojnë urdhërat për ndërprerje të operacioneve edhe në spitalin e Shkodrës. Kush është planifikuar për ndërhyrje kirurgjikale jo vetëm në repartin e Kirurgjisë por tashmë, edhe në atë të Obstetrikës, duhet të presë, se shëndetësia e Rilindjes jep shërbim me racion për shkak të tejkalimit të buxhetit nga koncesioni i sterilizimit, e jo atëherë kur duhet! Shëndeti me racion, si tollonat e kohës së diktaturës! Lavdi koncesioneve PPP!!!”, shkruan deputeti Spahia në këtë reagim të tij.
Kjo shkresë mban datën 26 dhjetor 2019 dhe është mbi mirëmenahximin dhe mirëplanifikimin për mbulimin e urgjencave në periudhën e festave të fundvitit e firmosur nga zëvendës drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës Agustin Suma. Shkresa i drejtohet shefit të shërbimit të kirurgjisë në spitalin e Shkodrës doktor Gëzim Galiqit dhe shefit të shërbimit të Obstretikë-Gjinekologjisë, doktor Senad Hallunit në të cilën thuhet:
“Të nderuar, ju njoftojmë që për arsye të mirëmenaxhimit dhe mirëplanifikimit të mbulimit të shërbimit mjekësor të urgjencës për periudhën e festave të fundvitit 2019 dhe fillimvitit 2020, lind nevoja e anullimit të ndërhyrjeve kirurgjikale të planifikuara për periudhën 30 dhjetor 2019 deri më 06 janar 2020. Ndërhyrjet kirurgjikale do të realizohen me një planifikim të dytë pas datës 06 janar 2019.
Duke ju falenderuar për bashkëpunimin, me respekt zëvendësdrejtori i shërbimeve klinike Agustin Suma”, thuhet në këtë shkresë të spitalit të Shkodrës që sipas deputetit të PD Bardh Spahia është e papranueshme. Edhe më përpara deputeti Spahia duke qenë se është edhe mjek ka reaguar në lidhje me problemet në shëndetësi kryesisht duke akuzuar qeverinë dhe ministrinë e shëndetësisë.