Partia Demokratike ka dorëzuar në afatin e përcaktuar nga KQZ listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 25 qershorit, të cilat pritet të miratohen sot nga Komisioni.
Në orën 10:00 pritet të hidhet shorti në KQZ për fletën e votimit. Në mbledhjen e zhvilluar dje nga KQZ, u vunë re mangësi në dokumentacion, ndërsa anëtarët me unanimitet pranuan një afat të dytë duke e cilësuar dhe përfundimtar. Ndërkohë ka shkuar në 5 numri i kandidatëve të PD-së që janë dorëhequr nga gara. Helidon Bushati me anë të një postimi në facebook bën të ditur vendimin, edhe pse ka qenë i renditur në zonën e fituesve të sigurtë.
“Nisur nga këto detyrime që ndjej, duke analizuar rrethanat politike e specifike të Qarkut të Shkodrës, kam vendosur të tërhiqem nga lista, ku unë gëzoj një vend të sigurtë fitues, i renditur i katërti, për ti hapur rrugën një maksimalizimi te rezultatit te Partisë Demokratike në këto zgjedhje”, shprehet Bushati duke nënvizuar se ndihet i privilegjuar që u propozua për kandidim. Nga lista e Shkodrës është tërhequr dhe Ramiz Çobaj. Ndërsa në Berat është tërhequr Sazan Guri dhe Bujar Hoxhaj. Sulejman Gjana nuk ka pranuar të vazhdojë garën në Dibër sipas renditjes së përcaktuar.