ÇOBAJ: JU FALENDEROJ PËR BESIMIN QË NA DHATË. Përshëndetje të nderuar qytetarë të Bashkisë së re Shkodër! Jam përpara jush, që në cilësinë e Kryetarit të Partisë Demokratike Shkodër, t’ju përcjell falenderimet e mia më të sinqerta e më të përzemërta për besimin që na dhatë, duke votuar njëkohësisht si Kandidaten (tashmë Kryetaren e re të Bashkisë Voltana Ademi, ashtu edhe forcën tonë politike si dhe koalicionin e djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”.
Ju falenderoj për kulturën dhe qytetarinë e treguar gjatë gjithë proçesit zgjedhor. Tashmë, ekzekutivi i Bashkisë Shkodër do të drejtohet nga Voltana Ademi, dhe “Parlamenti Bashkiak” për katër vitet e ardhshme në shumicë, i përket Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Me shumë respekt, dashuri dhe emocion, vlerësoj në maksimum punën e shkëlqyer të strukturave të Partisë Demokratike Shkodër. Me punën e tyre, ata bënë të mundur të siguronin fitoren e dyfishtë (Kryetar Bashkie dhe Këshill Bashkiak), duke mos u stepur asnjëherë dhe për asnjë moment përpara kërcënimeve dhe mashtrimeve, të të gjitha llojeve. Këto struktura, bënë të mundur që t’i kthejnë krenarinë Shkodrës, por u bënë edhe krenaria e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Partia Demokratike e Shkodrës është lajmëtari i fitores së madhe që së shpejti do vijë. Jam këtu, për të vlerësuar në maksimum, punën e jashtëzakonshme të komisionerëve tanë, numëruesve, vëzhguesve të proçesit, të cilët për orë dhe ditë të tëra, me korrektesën maksimale, ruajtën, administruan, vëzhguan dhe numëruan votat, duke lexuar siç duhet vullnetin politik të zgjedhësit shkodran. Gjithashtu, falenderoj përzemërsisht aleatët tanë të çmuar, të cilët iu përmbajtën me mjaft korrektesë kontratës së lidhur, duke mbështetur fuqimisht Kandidaten tonë (tashmë Kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi), e cila ishte njëkohësisht edhe Kandidatja e tyre. Korrektesës së tyre, iu përgjigj në maksimum dhe Partia Demokratike, e cila bëri që të ruhej, numërohej dhe administrohej siç duhet vota e aleatëve. Së fundi, dua të theksoj se vota popullore që na u dha, është një detyrim dhe përgjegjësi e madhe për ne dhe siguroj opinionin publik shkodran, se ky besim që na u dha, nuk do shpërdorohet, por do shërbejë për realizimin e programit elektoral që Partia Demokratike dhe përfaqësuesja e saj paraqiti përpara jush gjatë fushatës elektorale.