U festua sot 34-vjetori i themelimit të Partisë Demokratike, ku morën pjesë drejtues dhe aleatë të saj. Të pranishmit kujtuan vitin 1990 kur lindi partia e parë opozitare pas regjimit komunist, në një sistem të ri pluralist dhe tranzicionin politik. Mes tyre ishin edhe aleatët më të ngushtë, krerët aktualë të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe Petrit Vasili, por edhe ish-drejtues të saj si Neritan Ceka.
Para të pranishmëve mbajti fjalim edhe kryetari i partisë Sali Berisha, nën akuzë për dosjen “Partizani” nga SPAK. Ish-kryeministri i thuri lavde aleatit të tij Ilir Meta që ndodhet i arrestuar, Ervin Salianjit i burgosur dhe madje dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, që sipas tij po përballen me ‘regjimin diktatorial’ me sakrificat e tyre.
“Dua të përshëndes aleatin tonë, presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deputetin Ervin Salianji, kreun e departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezin, për sakrificën në burgjet dhe persekutimin e regjimit të diktaturës”, tha Berisha ndër të tjera.
Ai kujtoi edhe elitën e PD-së që nuk jeton më, e që dikur sa ishin gjallë luftonin politikisht me të apo i kishte kundërshtarë. Berisha përmendi emrat e tyre duke u kujtuar cilësitë dhe që do shërbejnë si frymëzim për të fituar mandatin e tretë të PD-së në 34 vite, pas zgjedhjeve të 11 Majit 2024.
“Kujtojmë sot tribunin e lirisë, prijësin e pavdekshëm Azem Hajdari, që na kujton emocionet e themelimit të PD-së, kur kujton shembjen e kultit më te keq, kultit të Enver Hoxhës, hitlerit shqiptar. Kur kujton ata që nuk janë sot mes nesh, kujton Mandelën e Shqipërisë, Pjetër Arbnori, qendrestarin Ali Spahia, intelektualin e shquar Gramoz Pashko, mençurinë e Sokol Olldashit, mirësinë e Bujar Nishanit dhe virtytet e Gerti Bogdanit”, u shpreh ish-kryeministri, i cili pas një viti izolim në banesë nga GJKKO, ka nisur edhe fushatën elektorale.