Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Floriana Garo ka reaguar ndaj deklaratës së ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka lidhur me çështjen e nisjes së procedurave për zëvendësimin e ambasadores amerikane Yuri Kim. Në një deklaratë për mediat, Garo thotë se Xhaçka u urdhërua nga Edi Rama e po kërcënon ambasadorët.
“Xhaçka e urdhëruar nga Rama për të diskredituar dhe kërcënuar ambasadoren, i gjen rol protagonisti Berishës në gjellën e një dashurie të ftohur në të cilën kryetari i PD të vetmin protagonizëm ka denoncimin. Ndrikull Olta e investimeve strategjike në punët e brendshme dhe Miss Xhaçka e punëve të jashtme janë bërë bashkë dje në një konferencë për shtyp, që në formulim i ngjante Bukrës se Portokallisë. E pyetur mbi ‘shkarkimin’ online që i bëri Ministria e saj Ambasadores Amerikane, deri dje kanakare darkash të qeverisë më të korruptuar të Evropës, Xhaçka luajti budallain që mendonte të bënte budalla median dhe publikun. Ajo herë thoshte se ashtu e do puna, herë se nuk është puna ashtu apo se nuk është puna aty. Kur lodhej nga arsyetimet pa arsye i kthehej frazës se dashur të Rilindjes: fajin e ka Saliu.
Olta nuk do e kishte ‘shkarkuar’ Yurin, por e bëri nga frika se mos kryetari i opozitës e bënte para shefit të saj. Pra ishte përpjekje për ta shpëtuar nga turpërimi dhe është më mirë kur të turpëron i joti. E urdhëruar nga Rama për të diskredituar dhe kërcënuar ambasadoren, ministrja strategjike i gjen një rol protagonisti Berishës në gjellën e një dashurie të ftohur në të cilën kryetari i PD, të vetmin protagonizëm ka denoncimin që herët të saj, si një akt kundër interesit publik. Rënia nga sevdaja e Ramës me Kim dhe Kimit me shpurën e Ramës, nuk është problem i Berishës dhe opozitës, por vetëm parashikim i tyre. Ashtu si denoncimi i kahershëm për avionë droge që socialistët i quanin mushkonja dhe ambasadorët i jepnin fletë lavdërimi qeverisë për sukseset në luftën kundër drogës, edhe evidentimi i dhe denoncimi i korrupsionit të natyrave të ndryshme mes qeverisë dhe guvernatores nga Berisha e prodhoi krismën e vetë në kohë. Në veçanti denoncimi i përdorimit me sukses të këtij korrupsioni për të mashtruar qeverinë e saj dhe ndëshkuar luftën kundër korrupsionit në Shqipëri dhe ndihmuar qeverinë më të korruptuar të kontinentit. Në këto ka gisht Sali Berisha, por jo tek statusi i ministres se jashtme qe ishte fundi i kronikes së një dashurie të paralajmëruar.