Partia Demokratike e Shkodrës përmes një deklaratë për shtyp të shpërndarë për mediat ka akuzuar kryeministrin Edi Rama. Kjo deklaratë e PD Shkodër e kryetarit të degës Xhevdet Amuli vjen një ditë pas vizitës së kreut të qeverisë Rama në Malësinë e Madhe dhe në Shkodër. PD deklaron se është e pamundur se si kryeministri Rama gjeti forcën për të ardhur në një qytet të cilin në 8 vite qeverisje thuajse e ka kthyer 80 vite mbrapa me politikat e gabuara. Ja se çfarë shkruan Amuli në këtë deklaratë pas vizitës së kreut të qeverisë:
“Pasi shkatërroi ekonominë me platformën më të keqe qeverisëse që ka parë ndonjëherë vendi ynë me taksat më të larta në rajon e me shërbimet më të dobëta, Edi Rama me nga 3 policë për metër katrorë gjeti forcën të vinte në Shkodrën, që për 8 vite e ktheu 80 vite mbrapa në kohë. Edhe kësaj here erdhi për të mbushur me gënjeshtra qytetarët dhe të gjithë ata që e dëgjojnë. Bypass-i që ka filluar punimet që në vitin 2011,si një investim i qeverisë së asaj kohe për qytetin e Shkodrës,në 8 vite të qeverisë Rama nuk gjeti zhvillim,duke lënë me vite me rradhë vetëm grumbuj zhavori. Sot, vetëm pak muaj nga zgjedhjet Edi Rama premton përfundimin e Bypass-it si dhe mbylljen e letrave për shpronësimet. Nuk është vetëm rruga e Bypass-it që ka këtë problem,e njëjta problematikë është edhe për rrugën Shkodër-Velipojë,që po prap ka hasur probleme me shpronësimet,jo vetëm kaq por ka familje që janë prekur nga projekti dhe nuk janë të përfshira në listën e shpronësimeve. Është fatkeqësi që në 2020 ende diskutohen shpronësimet si një problematikë shtetërore dhe për shuma qesharake për qeverinë lihen pa përfunduar këto dy projekte. Edi Rama, mos u mundo të fajësosh askënd ! Ti vetë punove për humbjen që do të marrësh në 25 Prill 2021”.
Kryeministri Rama një ditë më parë vizitoi në Malësinë e Madhe fabrikën e prodhimit të lëngjeve në Tamarë, inspektoi punimet e ujësjellësit si Koplikut ku sipas tij pritet të marrë zgjidhje problem i furnizimit me ujë të pijshëm ndërsa më pas u ndal në Shkodër tek drejtoria rajonale e transportit rrugor dhe në fund inspektoi punimet në By Pass-in e Shkodrës nga ku lëshoi disa akuza për kryetaren e bashkisë Shkodër Voltana Ademi lidhur me mos menaxhimin e duhur të mbetjeve në zonën e By Pass-it, investim i cili nuk ka përfunduar ende edhe pse ka shumë vite që ka nisur.