Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho i ka dërguar një letër ambasadorëve të SHBA dhe BE ku u ka shprehur shqetësimin mbi mënyrën e nisjes së zbatimit të reformës në drejtësi.

Në letrën e tij, Spaho e vë theksin tek shkurtimi i fondeve dhe stafit të organeve të vettingut, në mënyrë sipas tij të njëanshme të mazhorancës. “Numri i personelit ishte vlerësuar si i domosdoshëm për funksionimin autonom dhe efiçent të organeve të vettingut, prej vetë këtyre organeve në relacionet shoqëruese që i kishin përcjellë Kuvendit, duke ruajtur një raport të drejtë midis stafit që do të përfshihet drejtëpërdrejt në procesin e rivlerësimit, me numrin e stafit mbështetës dhe administrativ, sipas raportit të ndjekur edhe nga vetë struktura e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, është shprehur Spaho.

Ndërsa mazhoranca, ka shtuar ai, në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, pa dakordësinë e vetë organeve të reja të vettingut, vendosi të shkurtonte me rreth 40 për qind numrin e punonjësve, duke miratuar për të tre organet gjithësej 110 punonjës. “Kjo strukturë e re, e hartuar nga mazhoranca në Komisionin e Ligjeve, edhe pse nuk gjeti dakordësinë e vetë organeve kushtetuese të vettingut, u miratua po me votat e mazhorancës në seancën plenare të datës 28 Shtator 2017”, ka vijuar Spaho. Në këto kushte, ka shtuar ai, PD dëshiron të sjellë në vëmendjen e misioneve diplomatike se shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve të pavarura, jo vetëm u shprehën kundër këtyre ndryshimeve, “por theksuan se me ndryshimet e miratuara po cënohet efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ka shtuar Spaho.

Artikulli paraprakSPANJA DHE ITALIA, PANUCCI: REZULTAT PËR IMAZHIN E SHQIPËRISË
Artikulli tjetërNDAHET NGA JETA ALBANOLOGU ROBERT ELSIE