Partia Demokratike do të mbledhë ditën e sotme Këshillin Kombëtar, i cili do të zgjedhe lidershipin e saj te ri. Gjatë mbledhjes së sotme do të zgjidhen nënkryetarët e Partisë, Sekretari i përgjithshëm dhe 4 sekretarë.
Në Kryesinë e PD-së hyn drejtpërdrejtë pa votë veç kreut të PD-së, edhe zëdhënësja e PD-së, sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe kryetarët e LGDSH dhe FRPD.
Kryesia e re, e cila do të dalë nga votat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, do të ketë vendimmarrje të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore.
Statuti i PD-së parashikon se do të jetë kjo Kryesi ajo që do të vendosë për kandidatët që do të garojnë si kryetarë bashkie dhe deputetë në zgjedhjet e ardhshme lokale. Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë edhe kryetarin e saj me një mandat 4-vjeçar.
Gjithashtu, nga kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar demokrat pritet të caktohet edhe data e nisjes së protestave, pas paralajmërimit që opozita e bashkuar dhe kryetari i PD, Lulzim Basha, paralajmëruan mbrëmjen e kaluar.
Është ky Këshill i përbërë nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar, krerët demokratë të bashkive, deputetët, krerët e degëve, Sekretari i Përgjithshëm, ata funksionalë dhe ish-kryeministra
, ish-presidentë dhe ish-krerë parlamenti, i cili do të zgjedhë për herë të parë kryetarin e Këshillit me mandat 4 vjeçar, sipas përcaktimit të nenit 50 të statutit.
Ditën e djeshme, kreu i PD-së, Lulzim Basha publikoi të gjithë listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar. Basha tha se do të propozojë emrin e ish-presidentit Bujar Nishani për kryetar të Këshillit Kombëtar, duke rikthyer kështu zyrtarisht në selinë blu ish-kreun e shtetit.