Nesër paradite demokratët do të mbledhin forumet më të larta vendimmarrëse, Kryesinë dhe Këshillin Kombëtar të PD, të cilët do të vendosin për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021. Komisioni do të ketë 5 persona në përbërjen e tij dhe do të asistohet nga Sekretariati ndihmës i Komisionit i përbërë nga dy persona. Komisioni i Vlerësimit do të bëjë seleksionimin e kandidatëve të propozuar për deputetë.
Në krye të komisionit pritet që të jetë Genc Ruli, ndërsa njëri nga anëtarët do të jetë Besnik Mustafaj, një tjetër figurë e njohur. “Gushti do të jetë një muaj aktiv për PD. Demokratët do të vijojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, finalizimin e programit qeverisës dhe përgatitjes së strukturave për zgjedhjet.
Modeli i konservatorëve britanikë, të cilët kanë asistuar PD, së bashku me republikanët amerikanë dhe CDU e Angela Merkel, u votua në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në ndryshimet statutore. Instituti Republikan Amerikan IRI, konservatorët britanikë, CDU dhe forcat politike të PPE që kanë ndihmuar PD për këtë proces, duan ta shndërrojnë atë në model të demokratizimit të forcave politike për gjithë rajonin” thuhet në njoftimin e selisë blu për mediat.
Po sipas PD-së, Komisioni është konceptuar që të ketë në përbërje jo vetëm ish-drejtues të lartë të PD, por edhe personalitete të shoqërisë civile dhe medias, përfaqësues të botës akademike, etj, por nuk zbulon emrat. Komisioni do të bëjë vlerësimin e çdo kandidati, nëse përmbush apo jo kriteret e parashikuara me detaje në udhëzimin për funksionimin e procesit. “Korpusi i njerëzve me influencë, me mbështetje, me aftësi në fusha të ndryshme, që do të përzgjidhen nga Komisioni, do t’i shkojnë më pas për votim anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Nga procesi 6 javor i propozimit të emrave, janë identifikuar një numër i lartë kandidatësh në të 12 qarqet, ku bien në sy se, krahas emrave të njohur, ka shumë emra jashtë strukturave të partisë, kryesisht nga bota akademike dhe shoqëria civile. Interesi i demokratëve është identifikimi dhe përzgjedhja e ekipit më të mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare dhe formuar qeverinë e re” mbyllet njoftimin Partia Demokratike.