Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho ka sulmuar ashpër kreun e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dakon.

Ai kërkoi arrestimin një orë e më parë të kreu të bashkisë së qytetit bregdetar, teksa theksoi faktin se lënia e lirë e tij, është një kërcënim serioz për prishjen e provave.

Spaho tha mes tjerash se mos-arrestimi i Dakos tregon se Shqipëria nuk ka për të pasur drejtësi pa larguar qeverisjen e Edi Ramës, të cilën e quan krejtësisht ilegjitime.

Gjithashtu kreu i grupit parlamentar të PD-së, etiketoi edhe Prokurorinë, e cila në optikën e Spahos po degradon dhe kjo tashmë po shndërrohet në provë të qartë.

“Ka të paktën dy javë që shqiptarët kanë parë provat e vërtetësisë së denoncimit të Partisë Demokratike se Vangjush Dako ka bashkëpunuar me bandat e Durrësit duke i përdorur ato për të blerë vota për pushtetin e tij dhe të Edi Ramës.

Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blear për tepsinë e Edi Ramës. Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg!

Deri tani janë publikuar vetëm 3 përgjime, që janë maja e ajsbergut e provave se Vangjush Dako e qeveris Durrësin me bandat më të rrezikshme, njësoj si Edi Rama qeveris vendin me krimin e organizuar.

Përgjimet zyrtare të prokurorisë nga dosja 339 nxjerrin në pah marrëdhënien e ngushtë të Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve, trafikantë ndërkombëtarë droge nga Amerika latine në Euopë, të cilët i ka përdorur në fushatë për të blerë zgjedhjet.

Përgjimet faktojnë gatishmërinë dhe garancinë e Vangjush Dakos për t’i mbaruar punë bandës.

Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë.Çdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga kryeministri i vendit Edi Rama.

Mosarrestimi i Dakos është dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar me mbështetje të organizatës kriminale të Rilindjes të drejtuar nga Edi Rama. Mosarrestimi i Dakos është prova e shkatërrimit total të prokurorisë së krimeve të Rënda.

Mosarrestimi i Dakos hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi. Ndodhemi para një momenti dramatik për fatin e drejtësisë dhe të vendit.

Nuk mund të ketë as drejtësi as paqe sociale, kur arrestohen dhe mbahen në burg ata që protestojnë për bukën e gojës dhe bredhin të lirë politikanë kriminelë si Vangjush Dako, vetëm pse gëzojnë mbështetjen e kreut të qeverisë.

Në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës!”, tha ai.

Artikulli paraprakI THA TË PASTRONTE DHOMËN, 11-VJEÇARI QËLLON GJYSHEN NË KOKË PASTAJ VRET VETEN
Artikulli tjetërMETA DEKRETON DATËN E ZGJEDHJEVE LOKALE TË 2019