Ka nisur në KQZ mbledhja ku pritet të diskutohet për regjistrimin e PD në zgjedhjet e 14 majit. Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve rrëzoi këtë të hënë edhe Sali Berishën, edhe Enkelejd Alibeajn. KAS vendosi të mos shqyrtojë fare ankimet e tyre që kundërshtojnë vendimet e Ilirjan Celibashit mbi regjistrimin e PD-së në zgjedhjet e 14 majit. Komisioni vendosi mos kalimin për shqyrtim të kërkesës së depozituar grupi i Foltores i cili pretendon që PD të regjistrohej në emër të Berishës. KAS tha se Berisha nuk është legjitim të ketë pretendime zgjedhore ndaj Partisë Demokratike.
Kjo cështje relatohej nga ish-ministri i Berishës Ilir Rusmali, i cili rrëzoi kështu shefin që dikur e përzuri nga qeveria. Por Komisioni i Ankesave nuk pranoi as kërkesën e Partia Demokratike, drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. KAS konstatoi se: “Vendimi i Komisionerit që i linte Bashës 48 orë kohë të firmoste në emër të PD-së nuk ishte vendim përfundimtar dhe si i tillë nuk mund të shqyrtohej nga KAS.
Kështu, dosja u rikthyer sërish në tryezën e Ilirjan Celibashit. Nëse Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendos sic ka paralajmëruar mosregjistrimin e PD-së pa firmën e Bashës, atëherë do të fillojë prapë Odiseja e ankimimit në KAS dhe në Kolegjin Zgjedhor.