Më në fund Lulzim Basha i ka dhënë fund hamendësive të një pjese të deputetëve të rinj të grupimit të tij parlamentar, se “kryetari nuk ulet gjallë në tokë sepse do keqkuptohej nga Rama”. Por Lulzimi u ul, madje në mes të autostradës, duke e mbajtur fjalën për “protestën popullore dhe bllokimin e rrugëve”, por sërish duke mos u konfimuar si “lider popullor”. Partia Demokratike ka vite që kërkon një lider karizmatik, një lider që të jetë popullor, serioz dhe i pranueshëm nga shumica e anëtarësisë së zhgënjyer. Edhe Kukësi e ka nxjerrë bllof PD dhe shpurën e Lulzimit që edhe pse morën rrugën drejt verilindjes, edhe pse “protestuan”, edhe pse dhunuan uniformat blu ditën e gjyqit, duket se asgjë nuk ka ndryshuar.

Thirrjet e Lulzimit për “mosbindje civile, mospagimin e taksave dhe tatimeve” si dhe thirrjet e tjera sa luftënxitëse aq edhe banale për një lider parti apo dhe grupim deputetësh, treguan se kjo opozitë ndodhet pa “kokë”, pa liderin e saj, pa drejtuesin e saj. Madje thirrjet e tij nuk i dëgjuan dhe nuk ju bindën as deputetët e opozitës. Gjithçka në PD-në e Lulzimit është spontane, është kuturru, madje gjithkush vendos me iniciativën e tij, vendos Ervini, vendos Grida, vendos Flamuri, vendos Mziu dhe Strazimiri.

Gjithçka duket sikur është një garë e shfrenuar mes tyre, për ti zënë vendin Lulzimit ndoshta pas Kuvendit Kombëtar, ose deri para zgjedhjeve lokale, periudhë në të cilën edhe Berisha ishte dakort që ai të largohej. Brënda selisë blu, përshfaqen shumë mendime dhe ide për “liderin” e të ardhmes, më të vjetrit mendojnë se “ai duhet të jetë si Berisha dikur”, të rinjtë mendojnë se “ai duhet të jetë si Lulzimi”. Por ka edhe prej tyre që mendojnë se lideri duhet të jetë “shumë popullor”, pasi Lulzimi nuk i përmbush kriteret e duhura, sepse ka dështuar, dhe kjo e bën edhe më të vështirë gjetjen e tij.

Partia Demokratike e Lulzimit, edhe kësaj here u mundua maksimalisht të organizonte “protestat popullore”, ashtu siç bëri në 18 dhjetor 2017 dhe 27 janar 2018, u mundua të bënte opozitën, dhe ti mbushte mëndjen demokratëve se “erdhi ora e marrjes së pushtetit ndaj të ngrihemi kundër kësaj qeverie”.

Askush nuk e ka besuar dhe nuk do ta besojë PD dhe opozitën e Lulzimit, përsa kohë asaj partie i mungojnë gjithçka, duke nisur nga serioziteti drejtimit, programi i detajuar për të bërë opozitën në 4 vjet, i mungojnë strukturat legale të zgjedhura sipas statutit, forumet e dala nga Kuvendi Kombëtar, etj. PD sot gjendet në krizën më serioze të saj si forcë politike, pasi i mungojnë alternativat kunkuruese, që do ta bënin të besueshme si opozitë serioze, përballë një qeverisje që ka shumicën në Parlament. Duke i dalë në mbrojtje gjithmonë personazheve të dhunës ndaj pronës dhe institucioneve publike dhe private, duke i dalë në mbrojtje gjithmonë fajtorit dhe jo viktimës, duke i dalë në mbrojtje antiligjit , madje edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë rezultuar nga Vettingu si “të korruptuar dhe të inkriminuar” me pasuri marramendëse, PD e Lulzimit ka denigruar gjithçka me vlerë që mund të besohej se kishte ajo forcë politike që pretendon se është e djathtë.

Gjithçka ka qenë rezultat i mungesës së një lideri apo “timonieri” të aftë, që PD-së ka vite që i mungon. Ajo parti, nuk dihet sepse mund të quhet akoma politike, kur veçse politikë nuk prodhon, nuk dihet sepse mund të quhet opozitare kur veçse opozitë nuk prodhon, nuk dihet sepse quhet demokratike kur atje veçse demokratike nuk janë as mbledhjet, as takimet, as zgjedhjet, dhe as ata që zgjidhen për të drejtuar forume fantazëm.

Në situatën në të cilën ndodhet kjo parti opozitare, duket se zgjidhja më e mirë për të ardhmen e saj, do të ishte dorëheqja e gjithë stafit drejtues të përfaqësuar nga Lulzim Basha, dhe ftesa publike drejtuar çdo qytetari dhe intelektuali të këtij vendi, që e ndjen se duhet të kontribojë në ringritjen e një partie të djathtë, që është goditur ashpër nga një grupim me mentalitet të theksuar marksist.

Por PD e Lulzimit, nuk ka gjasa ta bëjë këtë revolucion demokratik, që do ta shpëtonte këtë forcë politike nga asgjesimi politik, pasi ajo është marrë peng nga njerëz kokëfortë që janë betuar ta shkatërrojnë atë nga themelet. PD duhet të hapë “tender publik” deri në gjetjen e një lideri popullor, dhe mundësitë natyrisht janë të shumta, ndryshe ajo parti do të rrënohet jo vetëm nga humbjet në çdo zgjedhje, por edhe nga largimet e përvitshme të atyre që dikur u anëtarësuan 27 vjet më parë atje me shpresën e madhe se “liria dhe demokracia tashmë e kanë simbolin e tyre në Shqipëri”.

Artikulli paraprakBASKET, VLLAZNIA MBETE JASHTË PLAY-OFF
Artikulli tjetërDITA BOTËRORE E SHËNDETIT, MANASTIRLIU: 24% MË SHUMË QYTETARË PËRFITUAN KONTROLLIN MJEKËSOR BAZË