Partia Demokratike ka nxjerrë këtë të martë detaje të tjera nga dosja greke për një shtetas shqiptar Jorgo Toto, që PD pretendon se është kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.

Në vendimin e gjykatës së Janinës të vitit 2003 ku kërkohet arrest me burg për Jorgo Toton, është i vendosur edhe numri unik i pasaportës, i cili nga verifikimet që PD ka bërë, i korrespondon Agim Kajmakut, kryebashkiakut të zgjedhur më 30 qershor.

“Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS. Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi.

Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që shikoni në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497.

Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku”, tha Gazmend Bardhi.

Në një komunikim për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, sqaroi përse në dokumentin e prokurorisë dhe gjykatës greke Jorgo Toto ka emra të ndryshëm të prindërve, nga emrat real të prindërve të Agim Kajmakut (Maxhe dhe Imer Kajmaku).

Bardhi tha se Kajmaku ka dhënë emra fals për nënën dhe babain e tij (Parascevi dhe Thanas) pasi në pasaportën e shtetasve shqiptarë nuk pasqyrohen të dhënat e amësisë dhe atësisë, dhe pasqyrohen ashtu sic deklarohen nga vetë i arrestuari. Por Kajmaku – tha Bardhi – ka pasur me vete pasaportën e tij që ka numër unik identifikimi dhe është regjistruar edhe në vendimin e gjykatës greke, në faqen numër 13, të cilën Bardhi e publikoi. Numri i pasaportës është Z0148497

“E vërteta është ajo e deklaruar nga Partia Demokratike që dje. Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në vitin 2003, me masë arresti në burg, në fuqi, për kryerjen e një krimi, është ekzaktësisht Agim Kajmaku, kandidati i Edi Ramës për Vorën., megjithëse ai, në momentin e arrestimit, ka dhënë emra fallco për nënën dhe babin e tij.

Në vendimin e drejtësisë greke, të cilin ne e bëmë publik dje, Jorgo Toto paraqitet me amësi Parashivi dhe atësi Thanas. Kjo ka ndodhur, sepse në pasaportën e
shtetasve shqiptarë nuk pasqyrohen të dhënat e atësisë dhe amësisë. Për këtë arsye, në procesverbalin e arrestimit, të dhënat për atësinë dhe amësinë, pasqyrohen ashtu siç deklarohen nga vetë i arrestuari.

Pavarësisht përpjekjes për të mashtruar autoritetet greke, në momentin e arrestimit Jorgo Toto ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi dhe e cila është regjistruar në vendimin për arrestimin e Jorgo Totos. Në faqen 13 të këtij vendimi, të publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497”, tha Bardhi.

Teksa PD thotë se Agim Kajmaku është me një masë arresti ende në fuqi, pra që do të thotë se ai është në kërkim, në fakt kryebashkiaku i Vorës ka udhëtuar drejt Greqisë edhe pas akuzave për kryerjen e veprës penale. Kjo do të thotë se ndjekja penale është parashkruar, për shkak se dënimi për falsifikim parash që akuzohet Kajmaku, është deri në 10 vjet, ndërkohë që kanë kaluar 16 vjet nga kryerja e veprës penale.

Sakaq, Agim Kajmaku preket nga ligji për dekriminalizimin, që ka të bëjë me mosdeklarimin në formular të fakteve nëse ka qenë në hetim, i gjykuar apo i arrestuar, çka kryebashkiaku i Vorës nuk e ka bërë.

Artikulli paraprakI ARRESTUARI PËR PENGMARRJEN E 31-VJEÇARIT NË GREQI MOHON AKUZAT, GJYKATA E LË NË BURG
Artikulli tjetërSHEMBET URA, DY KALIMTARË DHE NJË MAKINË BIJNE NE UJE