Partia Demokratike thotë se projekti i Unazës së re është i paligjshëm korruptiv dhe në shkelje të plotë të vendimit të Këshillit të Ministrave.
Këshilltari ligjor Gazmend Bardhi tha se për shkak të këtyre shkeljeve shumë zyrtarë të lartë duhet të ishin sot në burg.
Projekti 40 milionë euro është tenderuar pa studim fizibiliteti, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa analizë kostoje/përfitimi, pa vlerësim shpronësimesh. Për shkak të shkeljes së ligjit, sot, – tha Bardhi- askush nuk e di sa kushton realisht projekti i Unazës së re.
Gazmend Bardhi: ” Procedurat janë kapërcyer qëllimisht për të fryrë faturën e ndërtimit dhe për të shmangur shpronësimet. Ligji i sponsorizimeve, që në nenin e parë të tij, ndalon sponsorizimet për institucionet shtetërore në fushën e ndërtimit të rrugëve. Por, përsa kohë, projektet tenderohen për të vjedhur, shkelja e ligjit është një normalitet për qeverinë e Edi Ramës. ”
Në emër të PD-së Gazmend Bardhi tha se çdo zyrtar i përfshirë në këtë aferë korruptive duhet dhe do të përgjigjet para ligjit.
Gazmend Bardhi: “PD i bën thirrje prokurorisë të dëgjojë zërin e banorëve dhe të marrë menjëherë në shqyrtim kallzimin e tyre penal.”
Kunderpergjigjet ARRSH
Në kundërpërgjigje ARRSh vijon ta quajë spekulim politik nga PD dhe deklarata të pavërteta me synime të pastra dezinformuese.
“Nëse do kishte pyetur Kryetarin e vet, z.Bardhi do ta kishte mësuar se në rastin e rehabilitimit të Unazës së Madhe në segmentin Pallati me Shigjeta- Sheshi Shqiponja, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka ndjekur të njëjtën praktikë ligjore që ka ndjekur Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për segmentet e tjera të unazës në kohën kur z.Basha ishte Ministër i Punëve Publike e Transportit apo Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Z.Bardhi do ta kishte mësuar se edhe studimet e fizibilitetit për veprat publike nuk bëhen për çdo segment që zbatohet por bëhen në fillim për të gjithë objektin. Rrjedhimisht, ai do duhet ta kishte pyetur z.Basha nëse kur ka filluar zbatimi i investimit për segmentet e mëparshme të Unazës, a është kryer një studim fizibiliteti?
Nëse z.Bardhi do kishte ndjekur komunikimet e mëparshme publike të Autoritetit Rrugor Shqiptar do kishte patur rastin të njihet me faktin se e gjithë procedura e ndjekur për rehabilitimin e segmentit “Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja” është në përputhje me të gjitha përcaktimet ligjore dhe ka marrë të gjitha lejet përkatëse.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përmbushur të gjitha detyrimet e përcaktuara në ligj mes të cilave:
1. Vendimi Nr.209, datë 25/09/2018 nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë bazuar në ligjin Nr.27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.
2. Leja e Mjedisit me Vendimin Nr.53 për VNM Paraprak, Nr.3718 Prot., datë 12/11/2018 të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
3. Vendimi Nr.462 datë 13/11/2018 të lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, bazuar në ligjin nr.27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.
4. Leja e Zhvillimit me vendim Nr.01, datë 20/11/2018 të lëshuar nga KKT, Këshilli Kombëtar i Territorit, bazuar në ligjin Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e Territorit”, i ndryshuar dhe në Vendimin Nr.408, datë 13.05.2015.
Nëse do kishte pyetur Kryetarin Basha, z.Bardhi do kishte mësuar se një tjetër vepër si mbikalimi i Kamzës, i ndërtuar në kohën kur PD qeveriste vendin ka filluar punimet pa asnjë leje mjedisore dhe as ndërtimi.
Fillimi i punimeve për këtë vepër ishte 22 Qershori 2007 por qeveria e partisë së z.Bardhi ka lëshuar Lejen Mjedisore vetëm në 1 muaj para përfundimit të punimeve, në 05.05.2008.
Referuar projektit të dhuruar, sërish z.Bardhi nëse do konsultohej me z.Basha do kuptonte se ky i fundit ka ndërtuar segmentin “Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike” me të njëjtën praktikë, me një projekt po të dhuruar nga një kompani private.
Me shkresën nr. 3625 prot dt. 30.04.2018 me lëndë “Ftesë për bashkëpunim”, nga ana e ARRSH-së, mbi bazën e përvojës së suksesshme të bashkëpunimit dhe profesionalizmit të konsulenteve ka ftuar për bashkëpunim tre shoqëri konsulentë.
Me shkresën nr. 3625/1 prot dt. 02.05.2018 – këtij bashkëpunimi i është përgjigjur pozitivisht vetëm shoqëria konsulente “AVE consulting” sh.p.k., e cila merr përsipër realizimin e këtij projekti sipas termave të referencës të hartuara e të miratuara.
Siç parashikohet qartësisht në dokumente, e gjithë procedura dhe administrimi i projektit nga studio në fjalë është në përputhje me përcaktimet ligjore.
Në vëmendjen e z.Bardhi fakti që segmenti “Komuna e Parisit – Shkolla Teknologjike”, është ndërtuar pikërisht bazuar mbi një projekt të dhuruar nga studio “Sphaera sh.p.k” për Bashkinë e Tiranës në kohën kur ky institucion drejtohej prej vet Bashës. Bashkëlidhur gjeni dy shkresa që studio “Sphaera” sh.p.k. i dërgon Bashkisë së Tiranës projektin dhuratë.
Këtë projekt, Bashkia e drejtuar nga Lulzim Basha e ka miratuar në Këshillin Teknik të vet këtij institucioni i cili në fakt nuk ka as përgatitjen teknike për vepra të tilla infrastrukturore.
I njëjti rast tanimë ndodh me segmentin “Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja”, ku bëhet një ofertë dhe projekti vjen si dhuratë e studios “AVE consulting” sh.p.k. Ky projekt, ndryshe nga koha e Bashës, shqyrtohet dhe miratohet pasi kalon filtrin profesional të Këshillit Teknik të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Fondi i shpronësimit nuk parashikohet në projekt-preventivin e objektit por del pas kryerjes së vlerësimeve përmes një VKM-je të veçantë. Punimet civile janë të matshme dhe çertifikohen gjatë e në përfundim të tyre nga inxhinieri (supervizori).”