Seanca parlamentare e kësaj të enjteje është hapur me kryetarin e grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, që ka akuzuar direkt kryeministrin Edi Rama për “promovim të krimit” në politikë.
Gjithashtu, Paloka ka komentuar me ironi edhe deklaratat e pak ditëve më parë të ministrit Saimir Tahiri, që kritikonte gjykatat për lirimin e një të akuzuari për armëmbajtje pa leje. “Ministri i Brendshëm foli për gjykatësin që kishte liruar një person për armëmbajtje dhe e shqetësonte pabarazia e madhe. Por nuk u shqetësua ky ministër kur një nga këto gjykata liroi një deputet të mazhorancës, i cili jo vetëm akuzohej për armëmbajtje pa leje, por edhe se kishte qëlluar ndaj disa personave. Kjo, sepse ishin ata (Tahiri dhe Rama) që i bënë presion gjykatës për ta liruar”, ka thënë Paloka. Ai ka nënvizuar se, amendamenti i opozitës për dekriminalizimin lidhet pikërisht me këto raste, në mënyrë që zyrtarë e deputetë të inkriminuar të mos vazhdojnë të mbajnë poste zyrtare. “Por Rama e ka dhënë urdhërin për këtë amendament që nuk do ta votojë. Kjo është evidente përse. Kjo qeveri nuk është e qytetarëve, por e prengëve dhe kokëdhimëve, prandaj këtyre nuk u shkon ndërmend të investojnë për qytetarët. Kjo është një çështje që nuk e zgjidh dot ky Parlament”, ka deklaruar Paloka. Ndërsa ish-kryeministri Berisha ka akuzuar krerët e shtetit se, përveç se kanë promovuar krimin, kanë përvetësuar pasuritë publike të vendit, situatë kjo që e bën të papranueshme për PD qëndrimin në Parlament. “Kjo është një sfidë e hapur që ju i bëni qytetarëve, ligjit të vendit, transparencës dhe ekzistencës së këtij shteti. Nuk ka cinizëm më ekstrem sesa ju, që keni marrë për djalin tuaj lokomotivën dhe hekurudhën. Pas pasurive të vendit, kryesoni tani seancën. Nuk ka gjest më të pacipë të Edvin Ramës dhe më të papranueshëm për ne si opozitë. Ne u detyruam të braktisnim Parlamentin sepse ju sollët këtu njerëz që i kishin duart të lyera me gjak”, ka thënë Berisha. Menjëherë pas deklaratës së tij, deputetët e Partisë Demokratike kanë lënë seancën. Akuzave të Berishës i është përgjigjur deputeti i PS, Taulant Balla, i cili e ka akuzuar ish-kryeministrin si përgjegjësin kryesor të tragjedisë së Gërdecit. Gjatë fjalimit të tij, Balla ka treguar edhe disa dokumenta të publikuara sipas tij në media e që tregojnë përfshirjen e Berishës dhe familjarëve të tij në këtë ngjarje. “Ik Sali, merri me vete të gjithë, sepse arsyeja është e njëjtë. Përsa kohë nuk bëhet reforma në drejtësi, kryekusari Sali Berisha ka shumë të drejtë të shpifë e të hedhë baltë pa fund”, ka thënë Balla. “Publikut i janë vënë në dispozicion nga mediat dokumente që e lidhnin këtë kriminel me biznesin vrasës të Gërdecit. Këtu kam gjithë dokumentacionin e plotë të vendimit të Këshillit të Ministrave, të procesverbaleve të KM, me të cilat Berisha ushqente fabrikën e vdekjes. Ja çfarë thoshte Berisha në një mbledhje, kur e kundërshtonin Bode dhe Rusmali: “hajde, ta marrim pak me qetësi këtë problem, se duhet ta zgjidhim këtë punë”. Pastaj ai vazhdon me presionet e veta për t’i dhënë djalit të tij municionin për të hedhur në erë një fshat të tërë. Të gjitha këto dokumenta janë publike, një pjesë e ka prokuroria, por ende as Shkëlzeni as Saliu nuk janë marrë një herë të vetme në pyetje”, ka thënë Balla.