Reagimet – PD-PS përplasen për rafinerinë e Ballshit pas shpërthimit

Partia Demokratike dhe mazhoranca kanë shkëmbyer akuza të ndërsjellta për ngjarjen e ndodhur në rafinerinë e naftës në Ballsh. PD hodhi dyshime se privatizimi i rafinerisë është bërë në mënyrë klienteliste, ku nuk zbatohet asnjë masë për sigurinë në punë. Ndërsa zv/kryeministri Peleshit tha se opozita e përdor ngjarjen thjesht për kapital politik. Pasi lanë dyert e spitalit ku vizituan 4 të plagosurit e ngjarjes së Ballshit, kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe zv/kryeministri Niko Peleshi u përplasën me akuza për privatizimin e rafinerisë dhe kushtet e punës në të. Demokrati Basha shprehu dyshimet se privatizimi i rafinerisë është bërë në mënyrë klienteliste dhe nuk janë marrë masat për të zbatuar kushtet e sigurisë në punë. Basha: Kemi dyshime të mëdha për përfitimet e jashtëzakonshme dhe ku shkojnë këto përfitime, se qartësisht nuk kanë shkuar për të përmirësuar sigurinë në një uzinë që kishte 6 muaj pa u ndezur.Kemi dyshimet tona të mëdha përsa i përket shfrytëzimit pa asnjë kriter të krahut të punës, të naftëtarëve. Kemi përgatitur prej dy javësh një kërkesë për një komision hetimor për këtë çështje. Ngjarja e sotme e kthen me forcë në vëmendje të opinionit publik domosdoshmërinë për zbardhjen e kësaj afere. Ndërsa zv/kryeministri, Niko Peleshi, pasi i shprehu ngushëllimet familjes së vitiktimës, tha se politikanët i shfryëzojnë fatkeqësi të tilla për kapitale politike. Peleshi: Kjo është një ngjarje që nuk do të lihet pa u hetuar, kanë filluar hetimet. Informacionet e para janë për një aksident, por ne nuk nxitojmë që të japim konkluzione, të shpallim fajtor dhe të kapitalizojmë siç mund të bëjnë të tjerët mbi ngjarjet e rënda. Por në fund si Partia Demokratike po ashtu dhe mazhoranca garantuan se do të ndjekin në vijimësi çështjen dhe do të qëndrojnë pranë familjes së viktimës, të lënduarve dhe naftëtarëve.

Artikulli paraprakNGJARJA NE RUS, REAGON NE RRJETET SOCIALE LULZIM BASHA
Artikulli tjetër“LORO BORIÇI”GATI PER NDESHJET E VLLAZNISE