ÇOBAJ: U BLLOKUA QARKULLIMI NË SHKODËR, BLERJA E VOTËS NUK NDIHMOI PS-në.

 DEKLARATË PËR SHTYP E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE SHKODËR, Z. RAMIZ ÇOBAJ

Dje, Edi Rama dhe Ilir Meta e mbyllën turpshëm fushatën elektorale në Shkodër.

As 5 mijë lekëshat e shpërndarë para Kishës së Fretënve (sa kanë detyruar edhe priftin të ndërpresë meshën dhe të largojë rrogëtarët e LSI-së e të PS-së nga aty), as dhjetëra e dhjetëra autobuzë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, nuk i kanë ndihmuar në përmirësimin e imazhit të braktisjes nga elektorati Shkodran.

Bllokimi i jetës normale të Shkodrës, duke paralizuar komplet qarkullimin në të gjitha rrugët kryesore me anë të forcave të shumta të Policisë, nuk do i shpëtojë nga humbja e 21 Qershorit.

Dje, dyshja Rama-Meta dhe sejmenët e tyre, jo vetëm që paralizuan me orë të tëra jetën normale të qytetit, por organizuan edhe skena komike duke transportuar me furgonë njerëz nga qyteti e çuar në komunat e afërta të Shkodrës për t’i risjellë sërish me autobuzë, me qëllim krijimin e imazhit se gjoja Keti Bazhdari paska mbështetje mbarëpopullore.

Braktisja që Shkodranët po tregojnë dita-ditës ndaj kësaj Mazhorance, është shumë e qartë.

As blerja e votave, as presioni për vende pune, as nxjerrjet me detyrim të punonjësve të fasonëve në miting, e as premtimet e llojit “Do hamë me lugë ari”, nuk i ndalin dot Shkodranët që t’i thonë JO këtyre mashtrimeve.

Edi Rama dhe Ilir Meta, duan të pushtojnë Shkodrën tashmë edhe përmes forcës, pasi dështuan në çdo gjë, po bëjnë presion ndaj të punësuarve në sektorin publik për largim nga puna, ndërsa po dalin derë më derë duke ofruar blerjen e votes.

Motoja e tyre është “Popullit nuk i premtohet. Populli mashtrohet”.

Edi Rama edhe dje e tregoi qartë se Keti Bazhdari është një dhuratë për Ilir Metën, kurse ky i fundit synon të bëhet pronari i Shkodrës dhe Velipojës.

21 Qershori do të jetë dita që Shkodranët do t’i thonë NDAL politikës së shkatërrimit dhe të gllabërimit të pasurisë së Shkodranëve në interes të bizneseve të dyshes Rama-Meta dhe shërbëtorëve të tyre.

Fiksimi për të futur Shkodrën nën kthetrat e tyre, iu është kthyer në urrejtje ndaj Shkodrës dhe shkodranët, sa nuk po ndalen së kërcënuari.

Kryefjala e mesazhit të tyre elektoral është: “Nëse nuk votoni Keti Bazhdarin, nuk do ketë asnjë fond nga Qeveria”.

Për Shkodranët, kjo është një melodi e njohur, sa herë në pushtet kanë ardhur të majtët.

Por, ju siguroj se nga humbja nuk do ju shpëtojë asgjë!

Biles as edhe manipulimet me photoshop në rrjetet sociale…

Nga Shkodra do fillojë shfronësimi i oligarkisë në pushtet.

 

Humbja me 21 Qershor do jetë tepër e thellë për kukullën Keti dhe koalicionin që ajo përfaqëson, sepse Shkodra dhe Shkodranët e kanë bërë zgjedhjen e tyre: Ata do votojnë për Partinë Demokratike dhe Voltana Ademin.

 

Artikulli paraprakVOLTANA ADEMI, DERË MË DERË, MERR MBËSHTETJEN E SHKODRANËVE
Artikulli tjetërQEVERIA VENDOS, DËMSHPËRBLIMIN E BANORËVE TË PREKUR NGA PËRMBYTJET