Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi ka deklaruar këtë të hënë se, “Gjykata Kushtetuese vonon zbardhjen e vendimit për mandatin e Koço Kokëdhimës, i kapur me 150 shkelje të ligjit themelor, duke përfituar fonde publike me biznesin e tij”.
“Jam sot këtu, për t’i kerkuar Gjykatës Kushtetuese të zbardhë e të bëjë efektiv sa më parë vendimin për rastin e deputetit Koço Kokëdhima”, ka thënë Halimi. Sipas tij, edhe pse kërkesa e Partisë Demokratike për mbarimin e mandatit të Kokëdhimës është bërë në verën e vitit të kaluar, gjykata e ka marrë në shqyrtim në nëntor të 2015, por ende nuk ka zbardhur vendimin që e shpalli si anti-kushtetues fshehjen ndaj drejtesisë që Rama bëri për deputetin Kokëdhima. “Parlamenti, me urdhër të Edi Ramës doli në mbrojtje të milionave të Kokëdhimës, në mbrojtje të 150 transfertave financiare që ai kishte përfituar në shkelje të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë qëndrim të Parlamentit si në kundershtim flagrant me Kushtetuten, duke i kërkuar dërgimin para drejtësisë së deputetit që ka përfituar fonde publike, sipas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike”, ka thënë Halimi. Mirëpo, ka vijuar ai, “nën presionin e Edi Ramës, vendimi ende nuk është zbardhur dhe nuk është bërë efektiv”. “Duke treguar mirëkuptim për ngarkesën dhe axhendën e Gjykatës Kushtetuese, i kërkojmë të zbardhë sa më shpejt vendimin, pasi çështja ka të bëjë me korrupsionin shtetëror, kapjen e shtetit si nje fenomen në rritje, ndaj është e një rëndësie të madhe publike. Rasti Kokëdhima i hap rrugën edhe mbarimit të dy mandateve të tjera që janë kapur në shkelje të Kushtetues, si zonja Leskaj e Rakip Suli, pasi familjarët e tyre kanë përfituar miliona nga fondet publike”, ka thënë Halimi. Sipas tij, “fshehja që Edi Rama po u bën deputetëve ndaj drejtësisë tregon mënyrën se si po qeveris: sa më shumë shkelje e abuzime, aq më shumë i mban njerëzit e tij dhe ia fsheh drejtësisë”. “Shembulli i Ilir Beqajt e dëshmon qartë këtë. Gjykata Kushtetuese i hoqi mandatin e deputetit për perfitim fondesh publike, por Edi Rama e bëri ministër duke i besuar konçesionet qindra miliona euro. Dhe sot, Beqja ka përfituar nga firma e tij, për të cilën humbi mandatin e parë, mbi 31 tendera dhe mbi 12 milionë dollarë. Ky është modeli sesi qeveris Edi Rama, milionat dhe mbrojtje nga drejtesia për miqtë dhe burgun për të pamundurit. Ndaj, sot më shumë se kurrë kemi nevojë për drejtësi profesionale, efiçente, të pakorruptuar por dhe të pavarur e të pakapur nga Kryeministri. Një drejtësi që lufton korrupsionin e bëhet garante e zbatimit të ligjit, edhe kur akuzohen miqtë e kryeministrit”, ka shtuar Halimi.