Partia Demokratike reagon lidhur me deklaratën e kryeministrit Edi Rama pas vendimit të bashkive të djathta për të mos iu bindur KQZ-së, i cili i bënte thirrje këtyre të fundit të mos bien pre e Ilir Metës, Sali Berishës, Monika Kryemadhit dhe Lulzim Bashës.
PD thotë se akti i presidentit për të anuluar zgjedhjet tashmë është botuar në fletoren zyrtare dhe për sa kohë nuk ka një datë zgjedhjesh nuk do të ketë as zgjedhje. Ndërsa deklaron se do të jetë e gatshme të respektojë ligjin kur presidenti të shpallë datë e re zgjedhjesh.
“Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri!
Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, përsa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë..
Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri!
Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.
Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne!
Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në!”, thuhet në reagimin e PD-së.