Pas tre vite përplasje dhe një sage të gjatë gjyqësore, më në fund Sali Berisha zotëron Partinë Demokratike edhe ligjërisht. Partia Demokratike është regjistruar në Gjykatën e Tiranës me kryetar Sali Berishën. Në një dokument të firmosur nga Sekretarja e Regjistrit të Partive Politike në Gjykatën e Tiranës dhe të shpërndarë nga PD, thuhet: Vërtetojmë se në Regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezulton se me urdhër nr.12 datë 19.12.1990 të Ministrit të Drejtësisë, është miratuar krijimi i Partisë “Partia Demokratike”, me iniciale “PD” ose “PDSH”. Kryetar i Partisë është z.Sali Berisha. E lëshojmë këtë vërtetim në përgjigje të kërkesës së subjektit të interesuar”.

Beteja ligjore për vulën dhe emrin e partisë bëri që Partia Demokratike të futej e përçarë dhe të përjetonte një humbje të thellë në dy palë zgjedhje vendore, ato të pjesshme në mars 2022 si dhe zgjedhjet e 14 majit 2023.

Organet vendimmarrëse të procesit zgjedhor i njohën Bashës të drejtën për të përdorur vulën dhe logon, si dhe të përfitonte fondet e buxhetit të shtetit për zgjedhjet, ndërsa grupimi i Berishës garoi nën siglën e një koalicioni me partinë e aleate të ish-presidentit Ilir Meta.

Kujtojmë se më 11 korrik të këtij viti Gjykata e Apelit i dha Berishës vulën dhe logon e Partisë Demokratike. Trupa gjykuese vendosi aso kohe të mos pranojë ankimimin e Enkelejd Alibeajt duke lënë në fuqi vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.

Vendimi i trupës gjykuese, i cili përbëhej nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro, ishte i formës së prerë duke i dhënë fund pas 3 vitesh betejës ligjores në dyert e gjykatës për fatin e partisë më të madhe opozitare në vend.

Artikulli paraprakGJKKO DËNON ME 4 VITE BURG NË TOTAL 2 TË PANDEHUR PËR KORRUPSION TË ZYRTARËVE, PËRFITOJNË GJYKIM TË SHKURTUAR!
Artikulli tjetërINTEGRIMI NË BE, GONZATO: REFORMA NË DREJTËSI TË JETË E PAKTHYESHME!