Partia Demokratike vijon sërish me akuzat ndaj qeverisë Rama për krimet dhe trafikun e drogës në vend.

 Nënkryetari i PD, Edi Paloka në një deklaratë për mediat, tha se në funksion të biznesit të drogës Rama ka inkriminuar edhe drejtuesit e policisë, duke bërë publik edhe emrat e tyre.

“Lajmet e përditshme për grabitjet, aksidentet me pasojë vdekje, vrasjet dhe kultivimi i drogës në çdo pëllmbë të territorit, dëshmojnë gjendjen dramatike të rendit dhe shpartallimin e çdo standardi sigurie. Arratisja dje e një shtetasi turk në Rinas në sytë e policisë kufitare dhe përpjekja për ta fshehur këtë skandal që doli në dritë falë denoncimit të Partisë Demokratike, është një tjetër konfirmim se Edi Rama ka hequr dorë nga detyrimi kryesor që ka si kryeministër në detyrë, për të ofruar rend e siguri. Edi Rama po provon çdo ditë se prioriteti i tij nuk janë qytetarët dhe fatet e tyre, por garantimi i biznesit të drogës.

Në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminim e drejtuesve të policisë, siç raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit.

Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30% të parave për çdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge. Drejtori dhe shefi i policisë së Ramës, sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes Drejtorit të kufirit, Boge Budini, dhe zëvendës drejtorit të Kufirit, Moisi Sula. Aranit Arapi, Drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, vecanërisht në vendlindjen e ministrit të brendshëm. Dritan Lenja është proceduar nga shërbimi i kontrollit të brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e komisariatit të Kurbinit. Ndërsa kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Cela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër. Ja pra sesi Edi Rama inkriminon Policinë e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës. Ja pse Shqipëria është mbuluar nga droga si kurrë më parë. Ky biznes kriminal po asfikson vendin dhe ekonominë e ndershme, për të pasuruar një grusht njerëzish që ndajnë paratë me Edi Ramën. Por droga nuk është zgjedhja e shqiptarëve. Nuk është e ardhmja e tyre. Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë punë të ndershme, rend e siguri. Shqipëria do të jetë më mirë pa Edi Ramën,” deklaroi Paloka./

Artikulli paraprakPRINDËRIT TENTOJNË T’I BËJNË FOTO, 2-VJEÇARJA BIE NGA TARRACA E LOKALIT
Artikulli tjetërGAZ LOTSJELLËS NË AMBIENTET E KUVENDIT, PRANGA DEPUTETIT TË VV