PD tentoi të bllokojë Bulevardin ndalohet kamioni me blloqe
Pas orë thirrjes së Lulzim Bashës për mosbindje civile e bllokim rrugësh, mbrëmjen e së enjtes e shënohet episodi i parë ku tentohet të bllokohet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Policia ka ndaluar një kamion të PD i ngarkuar me blloqe betoni, ndërsa ka zhvilluar një debat verbal me përfaqësues të PD. Ngjarja shënuar mbrëmjen e djeshme në Bulevard pranë çadrës së protestës, kur kamioni i ngarkuar me blloqe të larta u ndalua nga Policia e Tiranës. Burime nga Policia bënë të ditur se, kamioni i ngarkuar me blloqe betoni po tentonte të futej pranë çadrës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. “Kamioni i ngarkuar me blloqe betoni me disa gjoba të papaguara synonte bllokimin e Bulevardit. U ndalua për disa orë, ndërsa gjatë kësaj kohe pati debat verbal mes përfaqësuesve të PD dhe Policisë Rrugore. Për të qetësuar situatën u desh ndërhyrja e forcave të rendit”, thanë burimet nga Policia për Report Tv. Kjo është tentativa e parë e PD për të bllokuar rrugën, pas thirrjeve të Bashës për demostrimin e formave të para të mosbindjes civile. Blloqet e betonit do të vendoseshin në Bulevard. Partia Demokratike do të tentojë bllokimin e përkohshëm të akseve kombëtare në të gjithë vendin ditën që do të zbarkojnë në Tiranë negociatorët e Brukselit për zgjidhjen e krizës politike. Fillimisht, trafiku në akset kombëtare do të bllokohet për një orë, por me kalimin e ditëve, rrugët do të bllokohen për një kohë më të gjatë. Prova e parë do të jetë ditën e hënë. Në këtë kuadër, krerët e degëve të Partisë Demokratike janë porositur nga Basha për të mobilizuar bazën e partisë, në funksion të zbatimit të planit të ri. Sipas burimeve, Basha i ka informuar krerët e partive aleate për aksionin e ri politik.