Partia Demokratike ka reaguar pas marrjes së vendimit nga qeveria për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe 3 muaj.
PD thotë se kjo i shërben axhendës politike të Edi Ramës dhe jo qytetarëve, duke theksuar se kryeministri po e përdor afatin për show.
Ndërsa shprehet se 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat.
Partia Demokratike: “Me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk i shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por axhendës politike të Edi Ramës.
Për një qeveri, e cila nuk ka si prioritet përfitimet politike dhe financiare nga fatkeqësia e mijëra njerëzve, 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe spitaleve të dëmtuar.
Këtë afat Edi Rama e përdori për show dhe jo për ofrimin e zgjidhjeve në dobi të qytetarëve të prekur nga tërmeti. Asnjë plan i prezantuar, asnjë masë konkrete e marrë, vetëm fjalë boshe, identike me fjalët boshe pas tërmetit të Qershorit 2019 në zonën e Korçës dhe tërmetit të 21 Shtatorit.”
PD shprehet se zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme është tregues i dështimit dhe paaftësisë së Edi Ramës për t’u shërbyer në kohë qytetarëve.
Partia Demokratike: “Fakti që kjo qeveri nuk është e aftë që brenda afatit kushtetues 30 ditor të bëjë planin e nevojshëm për marrjen e masave që përballojnë fatkeqësinë natyrore, është treguesi më i qartë i dështimit dhe paaftësisë së Edi Ramës për t’u shërbyer në kohë qytetarëve.
Propozimi i Edi Ramës që gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjasë deri në Mars 2020 nënkupton që qytetarët do të mbahen peng dhe deri atëherë Qeveria nuk do t’i ofrojë asnjë zgjidhje. Qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, kanë nevojë urgjente për zgjidhje.
Për Partinë Demokratike është e rëndësishme që qytetarët të qartësohen sa më parë, që Qeveria të prezantojë menjëherë masat për mënjanimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, që Qeveria të mos shtyjë zgjidhjen e situatës, por të planifikojë fondet e mjaftueshme financiare për t’i dhënë zgjidhje qytetarëve. Kjo duhet të bëhet tani, pa asnjë shtyrje, pa asnjë zgjatje.”
PD thekson se Rama në këtë kërkon të fshehë krizën e rëndë politike në vend, duke keqpërdorur krizën pas tërmetit, të shkaktuar, në një masë të madhe, nga korrupsioni shtetëror dhe paaftësia për të menaxhuar situatën.