PDIU e quan dënim “absurd, burracak, të padrejtë” atë të njoftuar për dy shoferët shqiptarë që kishin një ngarkesë me abetare për fëmijët e komunitetit shqiptar në Greqi.
Mediat greke njoftuan dje se Altin Tafa dhe Agim Asllani u dënuan me nga 30 muaj burg nga Gjykata e Janinës.
PDIU thote: “Ky akt burracak ngjan si përpjekje e drejtuesve të cirkut politik në Greqi, që të pafuqishëm për të ndaluar përparimin e çështjes çame,po i hedhin turmave të paditura dy gladiatorë imagjinarë të armikut. Gladiatorët në fakt nuk janë gjë tjetër veçse dy shoferë që kryejnë detyrën normale apolitike të dikujt që është transportues malli dhe kaq Ky akt absurd zemërimi ndaj abetareve shqip në mes të Europës, do të turpërojë autorët e tij, kur ai të mësohet anembanë mediave, kancelarive dhe opinionit publik europian. Abetaret, ushqim mendjeje për 6 vjeçarët nuk përbëjnë rrezik për integritetin territorial të Greqisë, edhe kur në to mësohet se shqiptarët kanë jetuar dikur në territore që sot janë të saj. Shfaqje të tilla kanë qenë të denja për shekullin e 19 dhe të 20-të, kur shteti fqinjë, kisha e tij, kanë luftuar me zjarr dhe hekur ndaj kulturës shqipe, ndaj gjuhës shqipe, por sot duken të egra dhe jashtë kohe. Në fund të reagimit për median të ardhur sot në redaksi, PDIU i kërkon autoriteteve shqiptare “të veprojnë me qetësi, por me reciprocitet ndaj këtyre veprimeve, duke ndaluar çdo propagandë shoviniste në çdo formë që vjen prej një vendi fqinjë”