Partia Drejtësi për Integrim dhe Unitet kërkon publikisht një post ministri në qeverinë “Rama”.
E futur në koalicion me të majtën në zgjedhjet lokale, PDIU tashmë është kontribuuese dhe aktive në qeverisje, por kjo vetëm në nivelet e dyta dhe të treta. Kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi, deklaron se posti i një ministri i takon PDIU-së, pasi është forca e katërt politike në vend. Ai pohon se me Kryeministrin Edi Rama ka biseduar dhe se ka një marrëveshje në parim, jo të shkruar, që PDIU të përfaqësohet me post ministror. Aktualisht, PDIU përfaqëson me një zëvendësministër, në Ministrinë e Jashtme, si dhe ka disa drejtorë si përfaqësues të saj. Ndërsa ka dhe një nga postet e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës. Tashmë si një parti e tretë brenda koalicionit të majtë, ku vjen pas LSI-së, PDIU-së i lind e drejta legjitime për të pasur një përfaqësim dhe më të gjerë dhe pse ka hyrë me vonesë në këtë bashkëqeverisje me koalicionin “Aleanca me Shqipërinë Europiane”. Me pesë deputetë në Kuvend, e ku partitë po luftojnë për votat për reformën në drejtësi, Rama duhet t’i bëjë mirë llogaritë, pasi nuk duhet të përballet vetëm me presionin e Metës së LSI-së, por edhe të PDIU-së. Partia Socialiste në Kuvend ka 63 deputetë, LSI-ja ka 20 deputetë dhe PDIU ka 5 deputetë. Gjithsej bëhen 88 deputetë, më shumë sesa 3/5 e votave për reformat. Ndërsa këtu nuk përfshihen as votat e Nard Ndokës së PDK-së, kreu të PBDNJ-së, Vangjel Dule, të ish-socialistit Tom Doshi ose dhe të deputetes së PKD-së, Mirela Ferracaku. Nëse këto i bashkohen reformës për ndryshimet kushtetuese për drejtësinë, atëherë mazhoranca e majtë do të jetë në kërkim të një vote për të kapur shifrën e artë të 93 votave për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit. Përpos kërkesave të LSI-së për paketën e reformës në drejtësi, Idrizi bën të ditur se edhe PDIU ka disa nga idetë e veta për mënyrën se si mund të realizohet ajo. Sipas tij, konsensusi politik për reformën është i nevojshëm, madje i ndikuar dhe nga Kushtetuta, e cila ka të përcaktuar se ato duhet të votohen me 93 vota. Idrizi hedh idenë që Presidenti i Republikës, në rast të dështimit me tre raundet e votimit, të zgjidhet direkt nga populli dhe jo me shumicë të thjeshtë nga ana e Parlamentit. Ndërsa një kërkesë tjetër duket se është ajo e së drejtës së votës të emigrantëve, ku ato të kenë deputetët e tyre, sipas ndarjes nëpër qarqe. Procesi i reformës në drejtësi tashmë ndodhet në gjykimin e Komisionit të Venecias. Ky institucion, pas misionit faktmbledhës dyditor në Tiranë do të shqyrtojë draftin e ekspertëve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar së bashku me dy opinionet e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në 12 mars pritet të publikohet drafti final për reformën në drejtësi, ku përplasja më e madhe mes mazhorancës dhe opozitës është mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës të Lartë apo asaj Kushtetuese. PD mbron variantin që ato të zgjidhen me 2/3 e votave, maksimale. Ndërsa PS-ja mbron variantin me 3/5. Kreu i PS-së, Edi Rama, duhet t’i bëjë mirë llogaritë e votave, pasi veç LSI-së, ai mund të kondicionohet dhe nga votat e PDIU-së. Kjo parti e dha sinjalin e parë të enjten e shkuar, ku nuk mori pjesë në votimin për rrëzimin e dekretit të Presidentit Nishani për çështjen e pronave. Ky votim mori numërimin minimal vetëm 71 vota, në një afat kohor që e majta ka të paktën mbi 3/5 e votave në Kuvend.