Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cilësoi sot kriminale dhe të turpshme deklaratat e opozitës në Kuvend, sipas së cilës qeveria ka një plan për shpopullimin e vendit. Në fjalën e mbajtur në seancë plenare, Peleshi u ndal fillimisht te disa prej politikave sociale të ndërmarra nga kjo qeveri.

“Në vitin 2013, një nga problemet më të mëdha me të cilat u ndeshëm ishte borxhi i trashëguar për bonusin e bebes. Bëhet fjalë për atë 50 mijë lekëshin, i cili për vite me radhë nuk është paguar, edhe pse ishte detyrim ligjor. Qeveria e mëparshme duhet ta alokonte te bashkitë, por nuk e bëri asnjëherë”, tha ai.

Peleshi theksoi se “në shtator 2013 kemi gjetur edhe një borxh tjetër që kishte të bënte me ndihmën ekonomike, fonde të shpërdoruara për projekte elektorale dhe që e kishin lënë arkën bosh”. Ndërkohë ministri theksoi se edhe pse roli i opozitës duhet të jetë që të kërkojë mirëqenien e qytetarëve, deklaratat e opozitës se “qeveria ka në plan shpopullimin e vendit” janë kriminale dhe të turpshme
“Nëse doni ta dini arsyeja e vërtetë pse të rinjtë shqiptarë që studiojnë jashtë nuk guxojnë të kthehen në Shqipëri, është sepse dëgjojnë këto lloj fjalimesh. Kam qenë në Boston dhe kam takuar studentë shqiptarë të Harvardit dhe kur i pyeta nëse duan të kthehen, më thanë se Shqipërinë e kanë zgjedhje të parë. E vetmja gjë që i ndalonte ishte ajo që dëgjonin në televizor. Ju jeni arsyeja e vërtetë pse të rinjtë shqiptarë nuk vijnë këtu. Kur dëgjojnë këto lloj konspiracionesh, natyrisht që do të ngurrojnë të vijnë”, theksoi ai.

Peleshi theksoi se qeveria po mundohet të rrisë buxhetin me miradministrim.

“Tani kemi një buxhet 2 herë më të madh sesa ai që trashëguam. Kjo është e vërtetë, buxheti është dyfishuar. Kemi mundësi të bëjmë rritje pagash historike me 30%, 40%, 50% apo 70%. Është një rritje historike e arritur falë mirëqeverisjes. Tani jemi në fazë tjetër. Po kuptojmë se edhe me mirëmenaxhim një qeverisje ka një kufi. Ne duam të kalojmë përtej kufirit duke ulur informalitetin dhe rritur produtivitetin. Po krijojmë nukla inovacioni në çdo ministri se duam të kalojmë me guxim në ekonominë e dijes”, shtoi ai.

Artikulli paraprakZV. KRYEMINISTRI I KOSOVËS VIZITË NË BRUKSEL
Artikulli tjetër“NUK DO RRIMË ME LLOGJET E MINISTREVE”, BERISHA: NË VEND TË BËJNË DETYRËN, BËJNË BADIGARDEN E GADAFIT