Penalizimi i mjekëve, diskutohen ndryshimet në Kodin Penal

Nisur nga ngjarjet më të fundit, si humbja e jetës së nënës dhe foshnjës në Maternitetin “Koço Gliozheni” apo foshnjës në Pogradec, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kërkon rivlerësim të legjislacionit për përgjegjësitë penale të mjekëve gjatë ofrimit të shërbimit mjekësor. Për këtë, ai ka qenë nismëtar i një takimi me ekspertë të drejtësisë, Urdhrin e Mjekut, Avokatin e Popullit, profesorë të Mjekësisë dhe struktura të tjera, për të dhënë idetë e tyre në Kodin e ri Penal, që po hartohet nga Ministria e Drejtësisë. “Na duhet një plotësim më i mirë i kuadrit tonë ligjor, lidhur me gabimin, neglizhencën, pakujdesinë dhe fatkeqësinë mjekësore, nga njëra anë. Një plotësim i legjislacionit për atë që lidhet me gjërat që vijnë nga mosveprimi i mjekut. Një pjesë e mirë e këtyre çështjeve mund të zgjerohen te përgjegjësitë civile, e të mos mbeten vetëm te përgjegjësitë penale”, deklaroi ministri Beqaj. Ministri i Shëndetësisë thekson se, duhen qartësuar pozitat dhe përgjegjësitë e mjekëve sipas rasteve, për të lënë më pas drejtësinë të veprojë. “Qëllimi ynë kryesor është që të mos lejojmë boshllëqe, të cilat nesër na çojnë në dobësimin e imazhit të sistemit shëndetësor, e specifikisht edhe të figurës së mjekut. Se çfarë duhet të veprohet drejtpërdrejt nga organet e drejtësisë në kushtet kur nuk ka flagrancë, e çfarë duhet të pritet fillimisht nga vlerësimi profesional i Urdhrit të Mjekut nga vlerësimi i mjekësisë ligjore, derisa pastaj drejtësia të bëjë punën e saj”, deklaroi më tej ministri Beqaj. Ndërkohë, pritet konsulencë edhe nga ndërkombëtarët dhe përvoja të vendeve të tjera për raste të ngjashme.

Artikulli paraprakTRAGJEDI NE JEMEN,155 TE VDEKUR DHE 500 TE PLAGOSUR.SULM AJROR GJATE NJE VARRIMI
Artikulli tjetërPOLICIA E SHTETIT KONTROLL NE AMBJENTET E STADIUMIT DHE TEK TIFOZET