Ndryshe nga ato çfarë janë thënë pak muaj më parë, jo Lady Gaga por Penelope Cruz do të interpretojë stilisten Donatella Versace në serialin televiziv “American Crime Story”, në sezonin e tretë.
Seriali i cili ka fituar 13 çmime Emmy dhe 2 Golden Globe, do të fokusohet këtë rradhë në vrasjen e stilistit të njohur italian Gianni Versace, të ndodhur më 15 korrik të vitit 1997. Stilisti u qëllua nga disa të shtëna pistolete në shkallët e vilës së tij në Miami Beach, teksa ngjitej për t’u futur brenda. Darren Criss, aktori i njohur i telefilmit Glee, do të interpretojë vrasësin serial Andrew Cunanan, kurse Gianni Versace do të portretizohet nga aktori venezueljan Edgar Ramirez. “Versace: Historia amerikane e krimit”, shënon debutimin televiziv të aktores fituese të Çmimit Oscar, Penelope Cruz. Ky prodhim do të rindërtojë gjithë historinë e suksesshme profesionale e personale të stilistit të famshëm italian Gianni Versace.