Episodi i radhës i dhunës trondit Francën, ndërsa dy persona të armatosur me thika morën peng disa njerëz në një kishë në afërsi të qytetit Rouen.
Ngjarja ndodhi në kishën Saint-Etienne-du-Rouvray në krahinëne Normandisë. Mediat franceze raportojnë se dy agresorët ishin të armatosur me thika dhe morën peng priftin, dy murgesha dhe të paktën tre besimtarë që gjendeshin në brendësi të ndërtesës. I menjëhershëm reagimi i policisë franceze, e cila rrethoi zonën dhe duket se nuk ka humbur kohë me negociata, por ndërhyri ashpër duke vrarë dy agresorët. Mediat franceze raportojnë se forcat speciale ndërhynë sapo mbërritën në zonë dhe lajmëruan se situata përfundoi pasi u dëgjuan krisma në kishë. Fatkeqësisht raportohet se prifti dhe një prej pengjeve të tjera ishin vrarë nga agresorët para se policia të mund të shpëtonte pengjet.
………
Në kohën kur Hillary Clinton pret zyrtarimin e nominimit si kandidate e demokratëve në Presidencialet e nëntorit, sondazhet përmbysen e nxjerrin në krye rivalin e saj republikan, Donald Trump. Sot, 44% e amerikanëve do të votonin për miliarderin njujorkez dhe 39% për Clintonin, thotë CNN. Ky është rezultati më pozitiv në anketime për Trumpin që prej shtatorit të vitit 2015. Rritja e mbështetjes ndaj tij i detyrohet të lëkundurve, 43% e të cilëve shprehen se, pas Konventës republikane janë më “pro” manjatit, ndërsa 41% të tjerë ende nuk binden. Përpara Kuvendit republikan, të lëkundurit shënonin 34% për Clintonin dhe 31% për Trumpin. Përkrahja për Clintonin tani, te kjo kategori, ka shkuar në 28%. Sondazhi reflekton gjithashtu një thellim të hendekut arsimor mes të bardhëve, që ka qenë i ndjeshëm përgjatë të gjithë fushatës. Te votuesit e bardhë me shkollë të lartë, Clinton ka fituar terren krahasuar me rezultatet e përpara konventës. Trump nga ana tjetër ka zgjeruar preferencat te të bardhët pa diplomë, te të cilët shfaqet më bindës për sa i takon ekonomisë dhe çështjes së terrorizmit.