Pensionet greke, të moshuarit u drejtohen konsullatave në Shqipëri
Një qarkore e Sekretarit të Përgjithshëm të Sigurimeve Shoqërore greke, i hap rrugën personave të moshës së tretë, pjesëtarë të pakicës greke në Shqipëri, të aplikojnë për pensionet nga Instituti grek i Sigurimeve “OGA”. “I dorëzuam. I bënë të gjithë letrat, i bëmë edhe ne. Ne erdhëm sot, mbase të tjerët kanë ardhur më herët, apo do të vijnë më vonë. Në Igumenicë më dhanë një shkresë me të dhënat e kushtet për të dhënë pensionin. Sa është e vërtetë, ata e dinë”, tha një qytetar. Ndonëse ligji u miratua në muajin qershor të vitit të kaluar, ai nuk gjeti zbatim për mungesë të akteve nënligjore, pavarësisht se vet pensionistët thonë se kanë edhe shumë vite pune në Greqi. “Kam punuar 20 vite në Greqi me të gjitha dokumentet”, tha qytetari. “20 vite kam punuar edhe unë, në ndërtim. Kisha bërë dokumentet por harrova t’i merrja. Kur prisja të merrja pensionin, ato u prenë. Tani të shohim se ç’do të bëhet”, tha një tjetër qytetar. Ndërkohë, Shqipëria dhe Greqia ende nuk kanë arritur një marrëveshje për njohjen e ndërsjelltë të viteve të punës për pensionet.