Fuqia blerëse e pensionistëve po gërryhet më tej nga thellimi i diferencës ndërmjet pagave dhe pensioneve dhe nga rritja e çmimeve të shportës së pensionistëve me ritme më të shpejta se masa e pensionit. Mbi 500 mijë persona që përfituan pension pleqërie më 2023 kishin të ardhura mujore mesatare 18,341 lekë, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, vlerë kjo 26% më shumë se në vitin 2014, teksa inflacioni i pensionistëve është rreth 34% në këtë periudhë. Gjithashtu, në vitin 2023, dolën në pension 40,170 persona, përfitimi mesatar i të cilëve rezultoi 15,569 lekë në muaj, rreth 14% më shumë se i personave që dolën në pension në vitin 2014. Duke matur ecurinë e pensionit me inflacionin, vlera reale e pensioneve ka pësuar rënie nga 8 në 16% gjatë dhjetë viteve të fundit. Anketa e buxhetit të familjeve tregon se nga shpenzimet totale mujore, 41.3% shkojnë për ushqime më 2023, kurse për moshat në pension, pesha e ushqimeve është rreth 59% e shpenzimeve mujore në vitin 2021. Në vitin 2014, pensioni mesatar ishte sa 30% e pagës mesatare bruto, ndërsa në 2023, ky raport arriti në 22%.
Ndryshimet që po diskutohen aktualisht synojnë që kriteri i moshës 67 vjeç të arrihet më shpejt se viti 2056, para vitit 2040. Sipas ligjit aktual të sigurimeve, kohëzgjatja e kontributit për të pasur të drejtën e një pensioni të plotë në vitin 2032 do të jetë 40 vjet. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, që nga viti 2014 deri më 2024, të ardhurat buxhetore u rritën me 98%, ndërsa deficiti i skemës së pensioneve në të njëjtën periudhë u ul me 10%. Kjo do të thotë se pesha e shpenzimeve për pensionet që përballohen nga buxheti i shtetit, është shumë më e ulët se 10 vite më parë.