Prej më shumë se 5 vitesh vlerësimi i logos të Vllaznia sh.a me një vlerë prej 639 milion lekësh të vjetër është mbajtur e fshehur në sirtarët e bashkisë Shkodër.
Ish-kryetari i bashkisë Lorenc Luka ka kaluar në këshillin bashkiak të Shkodrës për miratim një projekt-vendim për vlerësimin e logos të Vllaznia sh.a dhe që është miratuar me vendimin numër 68 me 28 dhjetor të 2011-ës. Që nga ajo kohë dhe deri më sot edhe pse kanë kaluar më shumë se 5 vite, logoja e Vllaznisë nuk është regjistruar në kapitalin e shoqërisë duke thyer drejtpërdrejtë ligjin “për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe ligjin “për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, kjo e thënë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditin e bërë për Vllaznia sh.a.
Tre vite drejtuesve të mëparshëm të Vllaznisë apo dy vite të tjera strukturave aktuale drejtuese nuk i kanë dalë për të regjistruar logon në kapitalin e shoqërisë Vllaznia sh.a. Për 5 vite me radhë askush nuk ka dijeni se çfarë përfshihet si vlerësim në vlerën prej 639 milion lekësh të vjetër në logon e Vllaznia sh.a. Ndërsa Vllaznia ka të vlerësuar logon që është edhe gjëja më e çmuar që ka një klub futbolli nga ana tjetër janë dhënë 10 milion lekë të vjetër nga bashkia për të bërë një inventarizim të aseteve të tjera të klubit por që realisht nuk futen tek vlera e logos çka do të thotë se nuk mund të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me procesin e privatizimit të klubit nëse do të bëhet ndonjëherë për Vllazninë.
Bordi drejtues ka për detyrë që të mbikqyrë atë që ndodh tek Vllaznia sh.a por është e pakuptimtë se çfarë kanë mbikqyrur në 5 vite me radhë kur nuk është arritur të bëhet as regjistrimi i logos. Vlera e kapitalit të shoqërisë Vllaznia sh.a aktualisht është rreth 2 miliard e gjysëm lekë të vjetër që duke shtuar edhe logon prej 639 milion lekësh të vletër shkon në mbi 3 miliardë lekë të vjetër gjë e cila mund ta vështirësojë procesin e privatizimit. Vllaznia ka një borxh të pakontabilizuar sipas KLSH, pra të padeklaruar në tatime me një vlerë prej 230 milion lekësh të vjetër dhe 356 milion lekë të vjetër janë sigurime shoqërore të papaguara dhe të padeklaruara sipas KLSH.
Po sipas këtij auditi Vllaznia sh.a me 3 vendime në janar dhe mars të 2016-ës ka edhe një borxh të marrë prej 143 milion lekë të vjetër dhe 15 mijë euro, shuma këto sipas KLSH të pabazuara në ligj, pa një analizë, pa asnjë arsye si dhe vendime jashtë komptencave të bordit drejtues. Në total borxhi i Vllaznisë shkon në 750 milion lekë dhe nga ana tjetër vlera e shoqërisë bashkë me logon në mbi 3 miliard lekë, dy absurde që jetojnë sëbashku. Se si do të zgjidhet ky ngërç financiar pritet për t’u parë por këto janë para të taksapaguesve shkodran.