Aleanca Veri Atlantike, NATO, i ka bërë thirrje Serbisë “që të vazhdojë të përmbushë përkushtimin e saj në kuadër të procesit të normalizimit të Hapësirës Ajrore në Ballkan”
, nga i cili, siç thuhet, “do të përfitonin praktikisht që të gjithë”. Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se “normalizimi i hapësirës ajrore shënon edhe një hap drejt ndërtimit të bashkëpunimit rajonal”. Deklarata e zyrtarit të NATO-s pasoi kërkesën zyrtare të Serbisë drejtuar NATO-s për marrjen nën kontroll të hapësirës ajrore të Kosovës. Një kërkesë të ngjashme autoritetet serbe i kanë proceduar në fund të vitit të kaluar edhe Bashkimit Evropian, me synimin që të marrin kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës, pas përfundimit të mandatit prej pesë vjetësh të Hungarisë. “Përkushtimi i Serbisë për normalizimin e hapësirës ajrore ishte një pjesë e rëndësishme e vendimit të Aleatëve të NATO-s që të relaksojë plotësisht zonën e sigurisë ajrore”, tha zyrtari i NATO-s. Ndërkohë, Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, Dritan Gjonbalaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mundësitë që Serbia ta marrë kontrollin mbi hapësirën ajrore të Kosovës, janë zero. Mediat në Beograd kanë cituar kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka deklaruar se një delegacion i qeverisë së tij, më 14 dhjetor, do të bisedojë në Bruksel me Aleancën Veri Atlantike që Beogradi të marrë nën kontroll hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën. Hapësira e ulët ajrore shtrihet në lartësinë deri në 6,500 metra, e cila kontrollohet nga autoritetet e Kosovës. Kjo hapësirë shërben për aterime dhe ngritje nga aeroporti, për kompanitë ajrore që e kanë destinacion Prishtinën apo që nisen nga Prishtina. Pretendimeve të Serbisë që ta marrë nën kontroll këtë hapësirë, Gjonbalaj u përgjigjet negativisht. “Kjo pjesë e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës, deri në 6,500 metra, menaxhohet dhe kontrollohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës.” “Pra, ne kemi një Agjenci kompetente e cila është duke i dhënë të gjitha shërbimet e kontrollit të trafikut ajror dhe shërbimet tjera përcjellëse në hapësirën e ulët ajrore të Republikës së Kosovës, nën 6,500 metra. Pra, kjo është një pikë e padiskutueshme”, ka thënë Gjonbalaj. Përveç hapësirës deri në 6,500 metra, ekziston edhe ajo mbi këtë zonë, e njohur si hapësira e lartë ajrore, e cila me vendim të NATO-s, i është deleguar Hungarisë, përkatësisht Hungaro Control-it. “NATO ka një kontratë me Hungarinë që shërbimet për avionët me mbikalim, transit në hapësirën e lartë ajrore të Republikës së Kosovës, t’i marrë Hunagro Control nga Hungaria. Ne jemi duke u përgatitur në aspektin teknik dhe të burimeve njerëzore që nga viti 2019 të marrim përgjegjësinë e plotë edhe për hapësirën e lartë ajrore mbi 6,500 metra”, ka thënë Gjonbalaj. Edhe për këtë hapësirë, Serbia ka shprehur pretendime që ta marrë nën kontroll pas vitit 2019, kur përfundon mandati i Hungaro Control-it. Por, Gjonbalaj sqaron se ky vend nuk i përmbushë dy nga kriteret kryesore që i ka përcaktuar NATO. “Kur është zgjedhur Hungaria si ofrues i përkohshëm i shërbimeve, NATO-ja i ka pasur të përcaktuara qartë kriteret se çfarë shtetesh mund të konkurrojnë për këtë hapësirë ajrore. Nën një; është dashur që të jetë shtet anëtar i NATO-s dhe nën dy; të mos jetë shtet fqinj i parë i Republikës së Kosovës”. “Shikuar edhe nga ky këndvështrim, Serbia nuk e plotëson asnjërin prej këtyre kushteve, sepse nuk është anëtare e NATO-s dhe është shtet fqinj i parë i Kosovës”, ka thënë Gjonbalaj. Por, edhe po t’i plotësonte kushtet, ka nënvizuar ai, askujt nuk mund t’i delegohet hapësira ajrore e Kosovës pa miratimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, zyrtari i Aleancës Veriatlantike i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “NATO do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Serbinë në çështjen që ndërlidhen me hapësirën ajrore”. Hapësira ajrore e Kosovës ishte nën kontroll të Aleancës Veriatlantike, NATO, që prej përfundimit të luftës, më 1999 dhe vetëm në vitin 2014 hapësira e lartë ajrore iu dha nën kontroll Hungarisë, pas një procesi të vlerësimit.