Aktori i madh i kinematografisë shqiptare Xhevdet Ferri i cili u nda nga jeta një ditë më parë është përcjellë në banesën e fundit në varrezët e Sharrës, në orën 13:00 të ditës së sotme.
Të pranishëm në ceremoninë e varrimit të Xhevdet Ferrit u mblodhën familjarë, miq, si dhe figrura të shquara të artit dhe politikë, ndërsa se duket se amaneti i tij kishte qenë të mos përcillet me ceremoni shtetërore.
Ferri u largua nga kjo botë, një ditë më parë, në moshën 59-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të pashërueshme, duke lënë pas të shoqen dhe vajzën, ndërsa prej pak kohësh Ferri ishte bërë edhe gjysh.
Ai ishte bashkëshort i aktores Rozeta Ferri me të cilën ka luajtur në shumë filma si “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Gjoleka djali i Abazit”, etj.
Është duartrokitur për herë të fundit, në shenjë vlerësimi për çka bëri për kinematografinë shqiptare, për të rinjtë që u mësoi artin, dhe për dashurinë që u fali njerëzve të zemrës, bashkëshortes dhe vajzës së tyre, Borës.
Në një ceremoni në heshtje, dhe në një fjalim mjaft prekës nga aktori i mirënjohur, profesor Petrit Malaj, iu dha lamtumira e fundit Xhevdet Ferrit, ikonës së kinematografisë që u shua në moshën 59-vjeçare nga një sëmundje e rëndë.
Familja e madhe me pedagogë dhe studentë, humbi një tjetër thesar – tha Petrit Malaj,teksa veçoi rolin në shoqëri të Xhodës, siç të gjithë e thërrisnin, si një qytetar shembullor. Xhevdet Ferri tha ai – i përket asaj elite që rikthehet në memorien e të gjithëve pa të të lodhur kurrë.
Aktori Petrit Malaj, duke folur për misionin e hershëm dhe të fundit të Xhevdet Ferrit, mësimdhënien, tha se studentët humbën një korife të interpretimit.
“…Me dhimbjen e thellë të ikjes së parakohshme të njërit nga ne. Familja e kolegut, e mikut tonë të shtrenjtë Xhevdet Ferri, universiteti i arteve, kinematografia shqiptare, familja e madhe me pedagogë dhe studentë humbi një tjetër thesar, një aktor plot jetë, një pedagog të ditur, një intelektual dhe qytetar shembullor, një drejtues të mirë dhe mik të paçmuar.
Xhevdet Ferri i përket elitës, asaj elite ku bëjnë pjesë emra të tillë personazhesh që kthehen e rikthehen në memorien e të gjithë pa të të lodhur kurrë. Ata gdhenden në kujtesë ne kohës dhe fitojnë përjetësi.
Protagonist në dhjetëra filma, në më të suksesshmit, imazhi dhe portreti i tij u kthye dhe mbeti një emblemë e kinematografisë sonë. Dhe jo vetëm kaq, misioni i tij i hershëm dhe i fundit ishte mësimdhënia, një profesor i denjë për çdo auditor të artit në çdo cep të globit. Studentët humbën një korife të interpretimit dhe ne kolegët një shembull për t’u pasqyruar.
Njerëz si Xhoda që vijnë me të tillë mision nuk do të ikin kurrë përgjithmonë, ata thjeshtë vetëm largohen për t’u kthyer dhe rikthyer në çdo imazh dhe frazë tonë. Në lojën e çdo aktori të ri, punën e çdo regjisori mbeten një referim i denjë. Në perëndim të çdo jete e rëndësishme është si është jetuar.
Profesor Xhoda jetoi qindra jetë dhe mori mijëra kënaqësi duke lënë për ne gjurmë të shndritshme të virtyte të mëdha. Kjo e bën fatlum dhe të pavdekshëm. I dashur Xhodë, prehu në paqe i dashur mik, i dashur koleg. Faleminderit të gjithëve”.
Mes duartrokitjesh i është dhënë lamtumira e fundit aktorit të mirënjohur Xhevdet Ferri. Të mbledhur rreth banesës së fundit të artisit, miq dhe familjarë kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për të përshëndetur për herë të fundit veprën e madhe që la pas ikona e kinematografisë shqiptare.