Prindërit e 6-vjeçares që kanë denoncuar në polici një adoleshent për përdhunimin e saj, kërcënojnë me vetëgjyqësi, pas hetimit në gjendje të lirë të 13-vjeçarit.
Ngjarja ndodhi 3 ditë më parë në Berat, ndërkohë që prindërit këmbëngulin që i mituri të mbahet pas hekurave, pasi thonë se e ka pranuar akuzën. Prindërit e 6-vjeçares në Berat që akuzojnë një 13 vjeçar se ka abuzuar me të, kërcënojnë se do të bëjnë vetëgjyqësi. Babai i të miturës me iniciale S.H kërkon që policia mos ta hetojë në gjendje të lirë adoleshentin, që sipas tij ka pranuar gjatë marrjes në pyetje nga blutë se ka përdhunuar 6 vjeçaren. Babai i vajzës, Ëngjëll Haruni: “Kanë nxjerrë çunin, 13 vjeçarin, pse mos ta fusin brenda? E lëshuan jashtë. Nuk e lë, do ta vras me duart e mia! Ka pranuar vetë djali çfarë ka bërë, çfarë nuk ka bërë.I bëj apel shtetit ta arrestojnë”.
Ngjarja dyshohet se ndodhi 3 ditë më parë në banesën e 6 vjeçares, në lagjen “Donika Kastrioti” në Berat. Sipas prindërve, ka qenë vajza që u ka treguar gjithçka ndodhi me 13 vjeçarin kushëri të saj. Ndërkohë pas kontrollit, mjekët gjinekologë në Berat kanë konkluduar që 6 vjeçarja është e defloruar, thënë ndryshe ndaj saj është abuzuar seksualisht. 13-vjeçari u la i lirë nga sektori i të miturve në Gjykatën e Vlorës, e cila po e heton në gjendje të lirë.