Flet Emanuel Salinas, menaxher i zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë. Shqipëria ka potencial shumë të mirë në shumë sektorë, nga turizmi dhe bujqësia te prodhimi dhe shërbimet. Emanuel Salinas, menaxher i zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, thotë se vendi mund të dallohet si një ekonomi e gjelbër, që respekton mjedisin dhe e qëndrueshme, e cila në vetvete mund të shërbejë si marketing dhe vlerë më të lartë të shtuar për produktet dhe shërbimet, që mund të krijojë më shumë vende pune dhe më të mira. Në anën e kundërt të spektrit, Shqipëria ka një ekonomi të suksesshme të njohurive, që sa vjen e po rritet. Këto aktivitete janë mundësi të mira për punë më të mira dhe paga më të larta. Pikërisht, ky lloj zhvillimi do të ndikonte pozitivisht në frenimin e emigracionit. Z. Salinas pranon se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar tashmë po minon potencialin e rritjes së kompanive që veprojnë në Shqipëri.

Si e vlerësoni ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2022?
Më bën gjithmonë shumë përshtypje kur shikoj ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë. Ndikimi i pandemisë në ekonomi ishte dukshëm më i ulët se ai i vendeve të tjera të rajonit dhe më pas, ringritja ka qenë shumë e fortë. Ne vlerësojmë se PBB-ja u rrit me 3.5% në vitin 2022. Për mua, kjo është dëshmi e disa faktorëve. Së pari, ka një qëndrueshmëri mbresëlënëse të sektorit privat, që mendoj se lidhet me shpirtin sipërmarrës të shqiptarëve. Së dyti, para dhe gjatë krizës, qeveria mbajti një menaxhim të kujdesshëm fiskal, i cili krijoi hapësirë për manovrim në situata të vështira ku të ardhurat (mbledhja e taksave) u ulën, ndërsa shpenzimet u rritën me shpejtësi (përfshirë rindërtimin pas tërmetit dhe mbështetjen e popullatës gjatë pandemisë). Nga ana negative, lufta në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë ndikuan në ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit dhe u reflektuan në çmimet në rritje të ushqimeve, energjisë dhe mineraleve kryesore të përdorura në industri të ndryshme. Këto zhvillime dhanë efekt gradualisht në inflacionin e Shqipërisë. Kjo ka ndikuar negativisht te qytetarët më të varfër, duke pasur parasysh peshën më të madhe që kanë këta artikuj në shportën e konsumit të të varfërve. Konstatuam se qeveria e amortizoi goditjen, duke mbajtur të pandryshuara çmimet e energjisë për biznesin dhe konsumatorët, si dhe u përgjigj nëpërmjet çmimeve të kontrolluara, në mënyrë të përkohshme për karburantet për transport dhe artikujt kryesorë ushqimorë. Këto veprime rishpërndanë barrën e rritjes së çmimeve globale dhe penguan transmetimin e plotë në inflacionin e brendshëm. Megjithatë, kjo pati dhe ndikim negativ fiskal.

Si e prisni ecurinë e ekonomisë së vendit në vitin 2023? Cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?
Në këtë pikë, pasiguria kryesore është lufta në Ukrainë. Më lejoni të filloj duke cituar presidentin e Bankës Botërore, z. David Malpass: “Pushtimi rus i Ukrainës vazhdon të ketë pasoja shkatërruese ekonomike dhe humanitare. Grupi i Bankës Botërore është i tronditur nga dhuna dhe humbjet e jetëve, si pasojë e ngjarjeve që po zhvillohen në Ukrainë. Ne jemi një partner afatgjatë i Ukrainës dhe mbështesim popullin e saj në këtë moment kritik”. Për Shqipërinë, kjo luftë dhe pasojat e saj direkte dhe indirekte në të gjithë rajonin, ka të ngjarë të jenë burimi më domethënës i pasigurisë për vitin 2023. Besoj se të gjithë jemi të tronditur nga kjo luftë dhe lutemi për një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë, por askush nuk e di se kur mund të vijë ajo. Duke mos marrë në konsideratë këtë faktor, ne besojmë se Shqipëria ka baza të forta rritjeje. Sipas mendimit tonë, pasuria më e rëndësishme për vendin është kapitali i tij njerëzor. Kjo është në të vërtetë ajo që ka mundësuar rritjen e shpejtë të vendit dhe transformimin e madh që ka përjetuar Shqipëria gjatë 30 viteve të fundit. Vitet e fundit kanë treguar se shumë ngjarje janë të pamundura të parashikohen (si për shembull pandemia apo sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës). Sa e përgatitur është Shqipëria për të përballuar ngjarje të tilla në të ardhmen, ndërkohë që këto ngjarje kanë përkeqësuar financat e saj dhe kanë shtyrë planet për konsolidimin fiskal?

Ekziston një frazë e njohur që thotë “ka të njohura të njohura, të panjohura të njohura dhe të panjohura të panjohura”. Në pamje të parë, kjo tingëllon e thjeshtuar apo edhe pa kuptim, por mendoj se përmbledh thelbin e pasigurisë dhe sfidën e të qenët elastik. Shqipëria është prekur nga goditje të njëpasnjëshme gjatë viteve të fundit, por këto ngjarje kanë pasur shkallë të ndryshme pasigurie dhe kërkojnë veprime të ndryshme nga ne, për sa i përket gatishmërisë. Ekzistojnë rreziqe të përsëritura, për të cilat ne kemi njohuri (le të themi, të njohurat e njohura), duke përfshirë përmbytjet, thatësirat dhe zjarret. Ne e dimë se ato do të ndodhin dhe madje mund t’i parashikojmë ato me njëfarë saktësie. Më e rëndësishmja është që mund të punojmë përpara, për të zbutur ndikimin e tyre, duke investuar në infrastrukturë (p.sh. diga për parandalimin e përmbytjeve, infrastrukturë ujitëse) dhe sisteme informuese (p.sh. për zbulimin e hershëm të zjarreve). Po punojmë me autoritetet në projekte që forcojnë rrugët dhe urat, për t’i bërë ato më elastike ndaj goditjeve dhe po punojmë me Ministrinë e Bujqësisë për të përmirësuar ujitjen dhe për të futur procese bujqësore rezistente ndaj klimës. Pastaj janë të panjohurat e njohura. Këto janë rreziqet që ne i dimë se ekzistojnë, por nuk mund të parashikojmë se kur mund të materializohen. Në këtë kategori do të vendosja tërmetet dhe ndryshimet klimatike. Për këtë lloj rreziqesh mund të bëjmë dy gjëra kryesore: Së pari, duhet të investojmë në njohuri që mbulojnë rreziqet për të cilat nuk dimë mjaftueshëm. Për shembull, ne e dimë se Shqipëria është një nga vendet më të cenueshme në Europë ndaj ndryshimeve klimatike, por shkalla e ndikimit në të gjithë ekonominë është ende e papërcaktuar. Pra, ne po fillojmë një analizë të re (ajo quhet Raporti i Klimës dhe Zhvillimit të Vendit) që do të ndihmojë në identifikimin e dobësive dhe informimin e veprimeve të nevojshme. Së dyti, ne duhet të jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur me shpejtësi goditjeve dhe fatkeqësive natyrore kur ato ndodhin. Kemi punuar me autoritetet për informimin e strategjive për të përmirësuar Menaxhimin e Rrezikut të Fatkeqësive (DRM), por duhet punuar shumë më tepër dhe shpresojmë të jemi më aktivë në këtë drejtim. Dhe së fundi, kemi të panjohurat e panjohura. Këto janë rreziqe që na presin, të cilat nuk mund t’i parashikojmë, ose as nuk e dimë se ekzistojnë. Nëse do të ishim, të themi, në vitin 2019, pandemia dhe lufta në Ukrainë mund të ishin shembuj të kësaj. Ne thjesht nuk e imagjinonim se do të ndodhnin këto tronditje. Për këto rreziqe, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është të krijojmë hapësirën fiskale për të qenë në gjendje të reagojmë me shpejtësi dhe të zbusim ndikimin e goditjeve në popullatë.

Artikulli paraprakSHEFJA E FMN PËR SHQIPËRINË: RRITJA E KOSTOS SË JETESËS PO NDIKON NEGATIVISHT NË KËRKESËN E BRENDSHME
Artikulli tjetër24 VJET NGA MASAKRA E REÇAKUT, NDIZEN QIRINJ PËR VIKTIMAT E GJENOCIDIT NË KOSOVË