NGJARJA NË KORFUZ, ALARMI U DHA RRETH ORËS 04:30.Një traget italian me 478 persona në bord i nisur nga Igumenica për në Ankona të Italisë, u përfshi nga flakët si pasojë e një incidenti në garazhin e anijes, rreth orës 04:30, për shkaqe ende të papërcaktuara.
Në operacionin e shpëtimit janë përfshirë autoritetet italiane, shqiptare e greke, dhe deri më tani është mundësuar evakuimi i 170 personave. 421 prej tyre janë pasagjerë, mes tyre gra e fëmijë dhe 56 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa trageti mbante edhe 222 automjete. Pas mëse 6 orësh operacion, flakët janë shuar, por kushtet atmosferike e bëjnë mjaft të vështirë operacionin e shpëtimit ku këtë të dielë deti karakterizohet nga dallgë të mëdha dhe erëra të forta. Incidenti u raportua nga një telefonatë nga mediat greke dhe ato italiane. “Norman Atlantic” mori flakë rreth 12 milje nga Vlora. Flakët u përhapën në katet e poshtme të tij, ndërsa anijet e shpëtimit e kanë të vështirë operacionin, pasi pasagjerët janë ngjitur në pjesët e sipërme të anijes për t’i shpëtuar flakëve. Vështirësi krijuan edhe erërat e forta dhe flakët e mëdha të zjarrit. Ekuipazhi i anijes pas dhënies së alarmit filloi procedurat e evakuimit, ndërsa disa nga pasagjerët janë hedhur në det nga frika.