Ka përfunduar mbledhja me dyer të mbyllura e Kryesisë së Partisë Demokratike pas rreth dy orësh.
Kryesia u mblodh në selinë blu për miratimin e kandidaturave në garën për kryetarin e ri të PD-së. Mbledhja u drejtua nga sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani dhe dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Lulzim Basha dhe Eduard Selami do të jenë kandidatët që do të garojnë për tu zgjedhur kryetar i PD-së në zgjedhjet që do të mbahen më 22 Korrik. Kjo është konfirmuar nga Edi Paloka, nënkryetar i PD-së. Nënkryetari i PD-së Edi Paloka ka folur pas mbledhjes së kryesisë duke u shprehur se kishte debate në mbledhje, për shkak të mendimeve të kundërta. Duke folur për gazetarët, Paloka foli gjithashtu edhe për kandidaturën e Astrit Patozit. Sipas tij, ai bëri vetëm një deklaratë ndërsa nuk erdhi zyrtarisht të thoshte se do të kandidonte. “Kur dha dorëheqjen Sali Berisha nuk kishte debate. Këtë herë pati debate sepse kishte mendime të kundërta. Ne duam që PD-ja të rilindë. Rasti i Astrit Patozit ishte i qartë, ku e diskutuam edhe në kryesi. Ai shprehu dëshirën për të kandiduar me një sërë kushtesh, edhe sot ai foli. Atij nuk iu plotësuan kushtet dhe ai nuk kandidoi zyrtarisht. Ai duhej që vetëm të na thoshte që jam kandidat. Sot u kërkua të futej në rend dite një pikë tjetër që përfshinte analizën. Nuk mund të ketë analizë brenda një mbledhje kryesie. Ne do të bëjmë një analizë për të gjitha përgjegjësitë. Edhe gjatë fushatës do të ketë përballje”, tha gjatë fjalës së tij Edi Paloka.